Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Michel Tarran, ka folur nga Elbasani lidhur me zhvillimet e fundit politike e sociale në vend, referuar protestave, si dhe për qëndrimin zyrtar të organizatës ndaj këtyre ngjarjeve.
Gjatë pjesëmarrjes në aktivitetin me temë “Demokracia Vendore: Sa afër janë bashkitë me qytetarët?”, Tarran nënvizoi se kjo iniciativë i hap rrugën dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin.
“Duke marrë parasysh zhvillimet, pyesim se a është koha për ta zhvilluar këtë aktivitet, sepse ne jemi këtu për të krijuar kanale dialogu. Ajo që kam parë gjatë muajve të fundit është mungesa e dialogut, ku zëri dhe mendimi i njerëzve nuk është marrë parasysh. Ata duhet të mbështeten. Ndaj jam këtu, që qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë të kuptojnë se demokracia nuk ushtrohet vetëm një herë në katër vjet, por është një mundësi e përditshme për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në vendimmarrje.”
I pyetur se si e komenton sjelljen e Policisë së Shtetit dhe përdorimin e plumbave të gomës e gazit lotsjellës gjatë protestës së studentëve, ambasadori i OSBE-së tha se “Unë mendoj se dhuna nuk mund të jetë pjesë e jetës demokratike dhe e një shteti të së drejtës. Na vjen shumë keq që ka pasur shumë incidente dhune në Tiranë gjatë ditëve të fundit.“











