Cofindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri kundërshton rritjen e tatimit mbi fitimin, tatimit mbi dividendët dhe TVSH-së standarde të propozuar në draftet e Paketës Fiskale 2027 dhe kërkon tërheqjen e këtyre propozimeve.
Në një deklaratë për mediat Cofindustria Albania kërkon transparencë mbi nevojën për rritjen e taksave, përfshirë tatimin mbi fitimin dhe dividentin te biznesi i madh. Sipas Shoqatës së Industrialistëve Italianë propozimet e paketës fiskale do të rrisin barrën mbi ekonominë, kur një pjesë e shpenzimeve dhe investimeve të planifikuara mbetet e parealizuar.
“Qeveria u zotua publikisht se norma 15% e tatimit mbi fitimin për biznesin e madh do të mbetej e pandryshuar gjatë mandatit. Sot propozon ta rrisë në 17%, së bashku me rritjen e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe të TVSH-së standarde nga 20% në 21%. Qeveria duhet të shpjegojë pse po tërhiqet nga fjala e dhënë. Çfarë ka ndryshuar që nga marrja e zotimit?
Cila nevojë e re e bën të domosdoshëm këtë ndryshim? Cilat alternativa janë shqyrtuar përpara se fatura t’u kalojë përsëri bizneseve dhe qytetarëve? Këto pyetje marrin edhe më shumë peshë përballë të dhënave të vetë Ministrisë së Financave. Për periudhën janar–shtator 2026, të ardhurat buxhetore kanë tejkaluar shpenzimet me rreth 70,3 miliardë lekë, ndërsa investimet publike janë realizuar në 75,2% të planit të periudhës.
Ky suficit gjatë vitit nuk përfaqëson rezultatin përfundimtar vjetor dhe nuk provon se të gjitha këto fonde janë të lira. Megjithatë, ai kërkon transparencë mbi nevojën për rritjen e taksave. Qeveria duhet të shpjegojë pse propozon një barrë më të lartë të përhershme mbi ekonominë, ndërsa një pjesë e shpenzimeve dhe investimeve të planifikuara mbetet e parealizuar.
Përpara se të kërkojë më shumë para, shteti duhet të japë llogari për administrimin dhe përdorimin e atyre që mbledh. Zotimet publike kanë peshë ekonomike. Mbi to ndërmarrjet hartojnë plane investimi, marrin kredi, lidhin kontrata dhe punësojnë. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe kur qeveria ndryshon qëndrim. Biznesi nuk mund të rinegociojë brenda natës kredinë apo investimin e tij, sepse kushtet fiskale mbi të cilat bëri llogaritë nuk vlejnë më.
Parashikueshmëria fiskale është përgjegjësi e shtetit. Shkelja e një angazhimi të qartë dobëson besimin edhe te angazhimet e ardhshme dhe rrit pasigurinë për këdo që synon të investojë në Shqipëri. Pesha e propozimeve është e konsiderueshme. Për një shoqëri që tatohet me normën standarde dhe shpërndan të gjithë fitimin e mbetur pas tatimit, barra e kombinuar e tatimfitimit dhe dividendit do të kalonte nga 21,8% në 29,45%. Për çdo 100 lekë fitim para tatimit, shteti do të merrte 7,65 lekë më shumë.
Kjo përfaqëson rreth 35% rritje të barrës së kombinuar tatimore. Një ndërhyrje e tillë ndryshon ndjeshëm kthimin neto nga kapitali. Për disa investime mund të nënkuptojë shtyrje, zvogëlim ose zhvendosje drejt një tregu tjetër. Pasojat mund të shfaqen te projektet që nuk realizohen, vendet e punës që nuk hapen dhe mundësitë për rritjen e pagave që kufizohen.
Prandaj, të ardhurat shtesë të parashikuara për buxhetin duhet të vlerësohen bashkë me koston që mbledhja e tyre mund t’i shkaktojë ekonomisë. Një buxhet që arkëton më shumë sot nuk garanton automatikisht një ekonomi që prodhon më shumë nesër”.
Sipas tyre edhe rritja e propozuar e TVSH-së standarde kërkon vlerësim të plotë të ndikimit mbi konsumin dhe çmimet.
“Ulja e TVSH-së për ushqimet bazë mund të ndihmojë familjet, nëse reflektohet në çmimet përfundimtare. Por qytetarët kanë të drejtë të dinë efektin neto të të gjithë paketës mbi shpenzimet e tyre. Ne e njohim nevojën për financimin e shërbimeve publike. Pikërisht për këtë, kërkojmë të dhëna mbi rezultatet e luftës kundër evazionit, alternativat për zgjerimin e bazës tatimore dhe efikasitetin e shpenzimeve publike.
Bizneset që deklarojnë dhe paguajnë rregullisht nuk mund të mbeten zgjidhja automatike për çdo nevojë të re buxhetore. Kërkojmë tërheqjen e rritjeve të propozuara, publikimin e një analize të ndikimit të kombinuar dhe konsultim të mirëfilltë, me mundësi reale për të ndikuar në vendimmarrje. Qeveria të mbajë besën. Sipërmarrjes i kërkohet të respektojë kontratat, detyrimet dhe afatet e saj. Ajo ka të drejtë të kërkojë që edhe qeveria të respektojë angazhimet mbi të cilat i ka ftuar bizneset të investojnë”, theksohet në deklaratë./MONITOR
© SYRI.net
Shoqata e Bimëve Aromatike dhe Mjekësore kundër Paketës Fiskale: Shqetësuese, ministria e Financave ta rishikojë
Ndryshimi i paketës fiskale/ Eksperti Rrumbullaku: Rama do të heqë vëmendjen nga protesta! Një goditje e madhe ...
Buxheti 2027/ Gati 910 mld lekë të ardhura, shpenzime 980 mld lekë, s’ka më rritje pagash