Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 203 të vitit 2023, në ngarkim të Eugert Sino. Ai akuzohet për “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, gjithashtu në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal. Në akuzë përfshihet edhe vepra “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, në formën e drejtimit.
Nga hetimet rezulton se i pandehuri, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka siguruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh: 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër të tjera, 4 tyta armësh dhe 7,820 copë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm. Akt-ekspertimet konfirmojnë se armët dhe municionet janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund të realizojnë qitje. Në përfundim të hetimeve SPAK ka konkluduar se Eugert Sino ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit të kësaj veprimtarie të paligjshme kriminale.
Për identifikimin e bashkëpunëtorëve, Prokuroria ka ndarë aktet e procedimit penal nr. 203 të vitit 2025 dhe ka numëruar një procedim të ri penal, nr. 203/1 i vitit 2025, duke vijuar hetimet për të njëjtat elemente të veprave penale të përmendura më lart, si dhe për “Grup i strukturuar kriminal” sipas nenit 333/a të Kodit Penal.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë kosovare, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

