MSH: Fushata kundër gripit po merr ritëm, vaksinat mjaftojnë për të gjithë të regjistruarit

Prej nisjes së fushatës së vaksinimit, më 14 tetor, janë regjistruar 66.821 qytetarë, ose mesatarisht 4.455 aplikime në ditë. Në mesin e tyre dominojnë personat mbi 65 vjeç, ndërsa pas tyre vijnë qytetarët me sëmundje kronike.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, më së shumti aplikime janë bërë në Shkup, 19.767, pasuar nga Manastiri me 4.845, Prilepi me 3.844, Strumica me 3.585 dhe Tetova me 3.581.

Të lidhura

None found

Deri tani janë caktuar 6.710 termine, prej të cilave janë realizuar 3.266 vaksinime. Në tri ditët e fundit të punës janë vaksinuar afërsisht 1.000 qytetarë në ditë. Nga terminet e kaluara janë përmbushur 86,7 për qind, ndërsa 503 persona, apo 13,3 për qind, nuk janë paraqitur.

Ministria u kërkon qytetarëve që nuk mund të shkojnë në terminin e tyre ta anulojnë atë, që vendi të mund t’i caktohet dikujt tjetër të regjistruar për vaksinim. Sot nis caktimi i termineve për një grup të ri qytetarësh dhe pritet që numri ditor i vaksinimeve të rritet në rreth 1.700.

Është nënshkruar sot kontratë me prodhuesin Sanofi për furnizimin me 26.000 vaksina shtesë, të cilat pritet të mbërrijnë deri më 15 nëntor. Me këtë porosi, numri i vaksinave të siguruara deri tani bëhet 56.000. Përveç tyre, janë paralajmëruar edhe 30.000 vaksina deri në fund të nëntorit. Totali do të arrijë në 86.000 doza, numri më i lartë deri më sot, rreth 20.000 më shumë se numri i qytetarëve që janë regjistruar aktualisht për vaksinim, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se gripi shfaqet më fuqishëm në muajt janar dhe shkurt. Ai theksoi se vaksinimi deri në javën e parë të janarit ofron mbrojtje në kohën e duhur, ndërsa fakti që Sllovenia dhe Kroacia do ta nisin vaksinimin në nëntor tregon se ende nuk është vonë.

Klekovski u bëri thirrje qytetarëve të presin me durim, pasi vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë të regjistruarit dhe secili do të marrë njoftim për terminin. Nga kjo javë, ekipet e shtëpive shëndetësore po kryejnë vaksinime në shtëpitë e të moshuarve; nga java e ardhshme do të vaksinohet edhe në qendrat e dializës, deklaroi ministri.


Quantcast