SPAK ka mbyllur hetimet dhe i ka përcjellë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e Eugert Sinos, të akuzuar për drejtimin dhe financimin e veprimtarisë së paligjshme të trafikimit dhe mbajtjes së armëve të zjarrit e municioneve luftarake.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sino dhe persona të tjerë dyshohet se kanë siguruar një sasi të konsiderueshme armësh e municionesh. Mes tyre janë evidentuar 5 armë të gjata, përfshirë snajperë, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehra shtesë, 4 tyta armësh dhe 7.820 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.
Të lidhura
None found
Akt-ekspertimet përkatëse kanë konstatuar se armët dhe municionet ishin në gjendje të rregullt teknike dhe mund të përdoreshin për qitje. Në përfundim të hetimeve, Sino është identifikuar nga organi i akuzës si personi që dyshohet se kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit të kësaj veprimtarie kriminale.
Atij i janë ngarkuar akuza për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese e municionit, si dhe për krijimin, organizimin dhe drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas njoftimit të SPAK, Eugert Sino është i pandehur në procedimin penal nr. 203 të vitit 2023. Veprat për të cilat akuzohet lidhen me mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese e municionit në automjete, mjedise publike dhe në sasi të mëdha, pa autorizimin e organeve shtetërore kompetente. Prokuroria pretendon se këto vepra janë kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 278/1/2 dhe 28/4, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal.
Një tjetër akuzë ka të bëjë me mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese e municionit luftarak, në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 278/3 dhe 28/4, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal. Sino akuzohet gjithashtu për drejtimin e grupit të strukturuar kriminal, vepër e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Për identifikimin e bashkëpunëtorëve të dyshuar, SPAK ka veçuar aktet nga procedimi penal nr. 203 të vitit 2025, ka regjistruar procedimin e ri nr. 203/1 të vitit 2025 dhe po vijon hetimet për veprat që lidhen me mbajtjen pa leje e prodhimin e armëve dhe municioneve, si dhe me grupin e strukturuar kriminal.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë së Kosovës, strukturat hetimore të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.






