Në betejën e gjatë me GJKKO-në, prej gati 50 ditësh, Dhoma Kombëtare e Avokatisë mori një goditje nga brenda radhëve të saj. Bojkoti i nisur që prej 9 shtatorit në një shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së hartuar nga kryetari I kësaj Gjykate Erion Bani, nuk do të mund të vazhdojë më.

Gjykata administrative e Apelit vendosi sot të pranojë kërkesën për sigurim padie, të bërë nga Shoqata e avokatëve Antikorrupsion të drejtuar nga Ndue Pjetra, e cila ka dalë kundër bojkotit dhe sanksioneve, deri me heqjen e licencës, për mbrojtësit ligjorë që e thyenin atë. Derisa vendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë të shqyrtohet në themel, efektet e tij pezullohen menjëherë.

Pas Administratives së Apelit, reagoi edhe GJKKO që njoftoi zbatimin e vendimit.

“Në zbatim të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, efektet e vendimeve të mësipërme të bojkotit janë pezulluar për shkak të marrjes së masës së sigurimit të padisë”, thuhet në vendim.

Sipas shoqatës e cila e çoi çështjen në Apelin e Administrative, Dhoma e Avokatisë ka tejkaluar kompetencat në shkelje të ligjit, ka marrë një vendim jo proporcional, duke rrezikuar përmes bojkotit, mbetjen pa mbrojtje juridike të personave të privuar nga liria. Ndërsa sanksionimi disiplinor i avokatit, cenon pavarësinë e tij, vlerëson shoqata.

Bojkoti i seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nisi pak ditë pas në GJKKO hyri në fuqi një rregullore e re, për të cilën drejtuesi i saj nuk ishte konsultuar me asnjë nga palët e inetersuara. Avokatët ngritën shqetësimin se dokumenti cënonte veprimtarinë e tyre në mbrojtjen e klientit, duke veçuar pamundësinë për të mbajtur telefonin celular gjatë seancës.

Në mungesë të një përgjigjeje dhe një reagimi nga GJKKO-ja avokatët e përshkallëzuan protestën e tyre, duke e shtrirë bojkotin edhe mbi seancat për masat e sigurisë.

Në asnjë rast, Gjykata nuk u përpoq që të gjente ura komunikimi e dialogu me avokatët. Në të kundërt, ajo aplikoi gjoba të rënda ndaj tyre, ndërsa dështoi të përfshinte avokatët kryesisht, apo dhe ata të Zyrës së Ndihmës Juridike. Së fundmi, GJKKO-ja vendosi, si në rastin ndaj ish presidentit Ilir Meta, që procesi të vijonte dhe pa praninë e avokatit.

Rregullorja e GJKKO-së është kundërshtuar me forcë dhe nga komuniteti I gazetarëve shqiptarë e shoqatat ndërkombëtare, për shkak të pengesave të shumta dhe frymës censuruese që e bëjnë të pamunduar për gazetarët që të mbulojnë veprimtarinë e kësaj gjykate.