“Hajde të diskutojmë ç’duhet të bëj unë më mirë, zgjidheni vendin dhe kohën”/ Rama: Do hapim një dritare digjitale për dialog për të gjithë ata që kanë frikë Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat në Tiranë, duke kritikuar dhunën dhe duke theksuar se askush nuk mund të flasë në emër të popullit pa një mandat nga sovrani.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te liria, bashkëjetesa demokratike dhe e drejta e qytetarëve për të lëvizur të lirë, pa u penguar nga protestat e dhunshme.
“Kur them të gjithë, nuk kam parasysh veten, qeverinë dhe shumicën parlamentare, por të gjithë. Të gjithë ata që nuk janë pjesë e kësaj turme që përcjell frikë. Kam parasysh edhe ata që nuk më duan mua kryeministër, por duan të lëvizin lirisht në këtë qytet. Të çojnë fëmijët në shkolla, të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre, pa u penguar nga një turmë agresive. Një turmë që shpërtheu me një furtunë dhune me gurë e zjarr.
Kush janë këta? Dhe në emër të kujt duan t’i imponojnë shoqërisë tonë forcën e veprës antiligjore? Një mish-mash kategorish që janë mbledhur bashkë individë, grupe sociale dhe parti politike që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ky mish-mash ka një vizë përbashkuese, që kur protesta e flamengove u kthye në një grumbullim sorrash dhe korbash.
‘Ne nuk e duam më këtë qeveri, jep dorëheqjen, bindju popullit’. Ky mish-mash që ka marrë peng Tiranën, nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe s’ka asnjë autorizim të flasë në emër të popullit. As kjo turmë e verbër dhe askush tjetër nuk jep mandate, përveç sovranit popull. Kjo është e vërteta në demokraci.
Liria dhe e drejta e tyre, e të gjithë atyre që duan t’i imponojnë mendjet, kërkesat dhe bindjet, mbaron aty ku nis liria dhe e drejta e të tjerëve. Ky kufi e ndan ligjin e bashkëjetesës politike nga ligësitë e dhunës. Këtë kufi e kapërcyen me dhunë fashistët dhe komunistët, në emër të popullit. Çfarë sollën për popullin dhe çfarë sollën për vendin, e dimë mirë që të gjithë. Ose të paktën ata që dinë historinë dhe nuk ngatërrojnë Ismail Qemalin me Ismail Kadarenë”, tha ndër të tjera Rama.
Top Channel