Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, ka marrë një mesazh urimi nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, me rastin e zgjedhjes së saj në detyrën e presidentes.
Siç bën të ditur Presidenca, në mesazhin e tij, Mbreti Charles III, së bashku me bashkëshorten e tij, ka përcjellë urimet më të sinqerta për Presidenten Shiroka Pula, duke vënë në pah marrëdhëniet e afërta dhe miqësore ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.
Ai ka theksuar se lidhjet ndërmjet dy vendeve mbështeten në vlera të përbashkëta dhe janë forcuar ndër vite përmes partneritetit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Në mesazhin e urimit, Mbreti Charles III ka rikujtuar edhe vizitën e tij të parë në Kosovë, në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës.
Ai gjithashtu ka përmendur vizitën e vitit 2016, kur së bashku me bashkëshorten vizitoi në Prizren një ekspozitë me veprat e babait të ndjerë të Presidentes Shiroka Pula.
Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Mbreti ka shprehur bindjen se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, veçanërisht në një periudhë kur bota po përballet me sfida të rëndësishme gjeopolitike dhe klimatike.
Mbreti Charles ka shprehur gjithashtu dëshirën që gjatë mandatit të Presidentes Shiroka Pula të thellohen edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe, duke përcjellë urimet e tij më të mira për të dhe për popullin e Kosovës.