Rama tha se protestuesit kanë të drejtë të dalin në rrugë, të protestojnë dhe të bëjnë grevë, por jo t’u imponojnë të tjerëve mendimet e tyre. Ai i akuzoi se po përdorin dhunë dhe shantazhe ndaj kujtdo që nuk i mbështet pa kushte, ndërsa tha se në gjuhën e tyre nuk ka asnjë respekt për mirësjelljen, dialogun apo përballjen me mendime të ndryshme.

"Kjo është marrëveshja themelore e demokracisë, ashtu sikundër është liria dhe e drejta e secilit në demokraci të flasë në emrin e vet personal apo në emër të grupimit, organizatës, shoqatës, sindikatës apo komunitetit ku bën pjesë; të kërkojë atë që mendon, atë që dëshiron apo edhe atë që i teket po të dojë; të dalë në rrugë, të protestojë, të bëjë grevë për atë që mendon se i takon. 

Por liria dhe e drejta e tij, e tyre, e të gjithë atyre që duan t’u imponojnë të tjerëve mendjen, idetë, kërkesat, bindjet e tyre, mbaron aty ku nis liria dhe e drejta e të tjerëve për të pasur mendjen, idetë, qëndrimet dhe bindjet e tyre.

 Dhe mbi të gjitha jetën e tyre.

Ky kufi e ndan ligjin e bashkëjetesës demokratike nga ligjësitë e totalitarizmave apo të xhunglës, ku sundon dhuna, forca, frika dhe nënshtrimi pa kushte. Këtë kufi, pikërisht këtë kufi e kapërcyen me dhunë fashistët dhe komunistët, në emër të popullit, kundër sistemit, me dhunë e me terror, pastaj çfarë sollën për popullin dhe çfarë sollën për vendin e dimë mirë që të gjithë. Ose të paktën që të gjithë ata që dinë historinë dhe nuk ngatërrojnë Ismail Qemalin me Ismail Kadarenë. 

E pyes veten shumë këto ditë:  A është e mundur të mirëkuptohet tërë kjo furi dhune verbale, kërcënimesh, sharjesh, presionesh dhe shantazhesh, që gëlojnë në rrjetet sociale e në komunikimet digjitale, ndaj kujtdo që nuk i bindet agresionit imponues të kësaj turme, jo që nuk i bindet por që nuk i bën hosana kësaj turme; një turmë që nuk kërkon thjesht të dëgjohet, por pretendon të mbështetet pa kushte, në kuturisjen e saj anti-demokratike, ku në fjalorin e vet bazik në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, nuk ka asnjë fije respekti për asnjë normë mirësjelljeje, për asnjë standard komunikimi, për asnjë formë dialogu apo ballafaqimi?

Mua personalisht më rezulton e pamundur ta mirëkuptoj këtë sulm frontal mbi kodin e qytetërimit tonë, ku pavarësisht defiçiteve demokratike që ka kultura jonë e bashkëjetesës, e ku të gjithë kemi pjesën tonë të fajit pa diskutim ,as tradita familjare shqiptare, as normat demokratike të bashkëjetesës, as civilizimi europian nuk kanë asgjë të përbashkët me përmbajtjen gjerësisht vulgare të këtij sulmi të dhunshëm gjuhësor, në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, ku me tamam siç thotë populli: ‘’Gjuha kocka s'ka po kocka thyen’’! Madje me ndihmën e VIP-ave të ekraneve televizive, po thyen edhe automate e po djeg edhe banka" tha Rama


Lajmi kryesor:

Paketa fiskale dhe buxheti 2027, Rama: Hiqet taksa e qarkullimit te karburantet, ulet me 32 lekë/litër çmimi! Për 54 artikuj ushqimorë, TVSH shkon 6 % (VIDEO)