Qindra persona, që jetonin në bordin e një anijeje turistike, u detyruan të zbrisnin në Kamboxhia këtë javë, pasi operatori i anijes njoftoi se rritja e çmimeve të karburantit, e lidhur me luftën që përfshin Iranin, i ka bërë kostot e lundrimit tejet të larta. Anija "Villa Vie Odyssey" kishte lundruar nëpër botë për të paktën 755 ditë, duke qenë një nga të paktat anije që u ofronte pasagjerëve mundësinë për të marrë me qira ose për të blerë rezidenca afatgjata, apo edhe të përhershme, në bord. Të martën, pronari i anijes, "Villa Vie Residences", njoftoi pezullimin e operacioneve dhe zbarkimin e pasagjerëve në Kamboxhia, ndërsa po punohet për t'u siguruar atyre strehim të përkohshëm. Shpenzimet mujore për karburant, të cilat historikisht kanë qenë mesatarisht rreth 1,800 dollarë për kabinë, së fundmi kanë arritur në 6,000 deri në 8,000 dollarë në disa pjesë të Azisë, bëri të ditur "Villa Vie Residences" përmes një deklarate. "Kompania nuk mund t'ua kalojë thjesht banorëve koston e rritjeve të tilla të mëdha; mungesa financiare që rezulton nga kjo situatë e ka vënë modelin aktual të funksionimit nën një presion financiar të paqëndrueshëm." Anija "Odyssey" ka kapacitet për 650 persona, por dhomat e saj, përfshirë "suitat" që kushtojnë 440,000 dollarë, ishin ende në proces mbushjeje. Një "vilë e brendshme" në anije kushton 120,000 dollarë. Në anije ndodheshin 203 pasagjerë dhe 156 anëtarë të ekuipazhit.