Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje mbi atë që e cilëson si normalizim të dhunës dhe agresionit në hapësirat publike.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë u shpreh se protestat, të cilat sipas tij zhvillohen në emër të rinisë dhe studentëve, po cenojnë bashkëjetesën dhe lirinë e qytetarëve të tjerë.
Rama theksoi se shqetësimi i tij nuk lidhet vetëm me qeverinë apo mbështetësit e saj, por edhe me qytetarët që nuk e kanë votuar Partinë Socialiste dhe që, pavarësisht bindjeve politike, duan të lëvizin të lirë në kryeqytet.
“E kam pyetur veten vazhdimisht këto ditë, a është e mundur: A është e mundur të pranohet si normalitet agresioni i një turme, e cila në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, kërkon të na imponohet të gjithëve, jo thjesht duke thyer xhamat e MAS dhe dyqaneve pranë saj, por duke thyer çdo normë të bashkëjetesës mes njerëzish në të njëjtin qytet. Kur them të gjithë, s’kam parasysh veten, qeverinë, shumicën parlamentare, kam parasysh të gjithë ata që s’janë pjesë e këtij agresioni dhe përjetojnë frikë, pasiguri, pështjellim, nga kjo tufë dhunuesish urbanë dhe përndjekësish online.
Patjetër kam parasysh edhe ata që s’e kanë votuar këtë qeveri, s’më duan mua kryeministër, s’janë dakord me këtë që ne po bëjmë, por ama duan të lëvizin lirisht në qytet. Duan të shkojnë në shkollë, të mbajnë hapur dyqanet deri në darkë, të shëtisin në mbrëmje të patrazuar, shkurt duan të jetojnë pa qenë të detyruar rendin e ditës së tyre, për shkak të një turme agresive ndaj normalitetit të Tiranës. A mund të na imponohet të gjithëve një turmë, që pasi ka ardhur me muaj të tërë vërdallë nëpër Tiranë, duke xhiruar përnatë rrugët e qendrës me britma e të shara, e duke shqetësuar përnatë njerëzit në kafe, restorante, apo duke u jashtënxjerrë në kryqëzime për të bllokuar trafikun duke bullizuar dhe goditur drejtues automjetesh, pa pyetur për lirinë dhe të drejtat e dikujt tjetër”.












