“Kush janë këta dhe në emër të kujt duan të na imponojnë forcën e antiligjit dhe të antinjerëzillëkut?”, ishte pyetja që ngriti kryeministri Edi Rama në mesazhin drejtuar qytetarëve, teksa u ndal te protestat në Tiranë. Ai i akuzoi protestuesit se kanë marrë peng kryeqytetin, duke cenuar lirinë e qytetarëve, ndërsa theksoi se vetëm populli ka të drejtën të japë mandate për të folur dhe vendosur në emër të tij.
Deklarata e Edi Ramës
“E kam pyetur veten vazhdimisht këto ditë: A është e mundur të pranohet si normalitet agresioni i një turme e cila në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, kërkon të na imponohet jo duke thyer xhamat e Ministrisë së Arsimit dhe dyqaneve pranë saj, por duke thyer çdo normë të bashkëjetesës mes njerëzish në të njëjtin qytet.
Kur them të gjithë nuk kam parasysh veten, qeverinë, shumicën parlamentare, por pa përjashtim të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij agresioni dhe që përjetojnë frikë nga kjo turmë dhunuesish urbanë dhe përndjekësish online.
Kam parasysh edhe ata që nuk e kanë votuar këtë qeveri, nuk më duan mua kryeministër, nuk janë dakord me asgjë që ne bëjmë, por ama duan të lëvizin lirisht në këtë qytet. Duan të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës për shkak të një turme agresive.
A mund të na imponohet të gjithëve një turmë e cila pasi ka ardhur me muaj të tërë vërdallë nëpër Tiranë duke xhiruar rrugët e qendrës me britma e të shara, duke shqetësuar njerëzit, apo duke u jashtëqitur në kryqëzime për të bllokuar trafikun, pa pyetur fare për lirinë e të tjerëve, shpërthen në një furi dhune me gurë dhe me zjarr, kundër qytetit, institucioneve e Policisë së Shtetit.
Kush janë këta dhe në emër të kujt duan të na imponojnë forcën e antiligjit dhe të antinjerëzillëkut?
Një mishmash kategorish ku janë mbledhur bashkë individë dhe grupe sociale që kanë devizë të përbashkët qysh kur tribuna e flamengove u kthye në një vend grumbullimi sorrash dhe korbash: Ne nuk e durojmë më këtë sistem, nuk e duam këtë qeveri, jep dorëheqjen!
Keqkuptim i madh shumë! Fatmirësisht askush nuk është populli veç popullit.
Ky mishmash i të keqkuptuarish që kanë marrë peng Tiranën, bashkë me vëmendjen e një populli të tërë falë edhe ekraneve të korruptuara televizive që i bëjnë hosana dhunës dhe paligjshmërisë, nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe autorizim për të folur për popullin.
As kjo turmë e verbër dhe as ne vetëm, por vetëm populli i jep mandatet” tha Rama.

