Kurti hap konferencën KosovaPAR2026: Reformat në administratë duhet të sjellin ndryshime konkrete për qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të katërt të Konferencës Ndërkombëtare për Administratën Publike, KosovaPAR2026, e organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.


Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e reformës së administratës publike për forcimin e institucioneve, përmirësimin e qeverisjes dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.

Ai tha se suksesi i reformave duhet të matet përmes rezultateve konkrete që ato sjellin në jetën e qytetarëve.

“Suksesi i reformave nuk matet vetëm me politikat, të cilat i miratojmë, por me ndryshimin praktik e konkret, që ato e sjellin në jetën e qytetarëve. Kjo kërkon institucione profesionale, përgjegjësi të qarta, kapacitete të qëndrueshme dhe llogaridhënie për rezultatet”, deklaroi Kurti.

Konferenca e këtij viti mbahet nën temën “Vlera publike dhe e mira e përbashkët – Njerëzit, besimi dhe digjitalizimi”, me fokus te mënyra se si institucionet publike mund të ofrojnë shërbime më cilësore dhe më efikase për qytetarët.

Kreu i Qeverisë tha se Kosova po ecën drejt një modeli të ri të ofrimit të shërbimeve publike, ku ato organizohen sipas ngjarjeve jetësore të qytetarëve dhe jo sipas strukturës së institucioneve.

“Qytetari nuk duhet ta njohë hartën administrative të shtetit për të marrë një shërbim. Janë institucionet ato që duhet të koordinohen dhe t’i përgjigjen atij në mënyrë sa më të thjeshtë e më të integruar”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se digjitalizimi duhet të shoqërohet me ndryshimin e proceseve dhe të kulturës së punës, duke bërë të ditur se po krijohen kushtet për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Sipas tij, kjo teknologji mund të ndihmojë në thjeshtimin e proceseve dhe në ofrimin e shërbimeve më efikase, por përdorimi i saj duhet të jetë i përgjegjshëm, transparent dhe i sigurt.

“Por, teknologjia duhet t’i shërbejë interesit publik. Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të jetë i përgjegjshëm, transparent dhe i sigurt, me mbikëqyrje njerëzore dhe respekt për të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat e njeriut”, tha ai.

Gjatë fjalimit, Kurti vuri theksin edhe te profesionalizmi i shërbimit publik dhe rëndësia e investimit në zhvillimin e kompetencave të punonjësve, veçanërisht te gjeneratat e reja.

Ai theksoi se besimi i qytetarëve në institucione nuk fitohet vetëm përmes deklaratave apo strategjive, por ndërtohet përmes vendimeve, shërbimeve dhe mënyrës se si institucionet japin llogari për veprimet e tyre.

“Një administratë që vepron me drejtësi, transparencë dhe profesionalizëm, është një administratë që e forcon besimin në shtet”, deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se për Kosovën dhe vendet e rajonit, reforma e administratës publike dhe përafrimi me standardet evropiane janë të lidhura ngushtë me perspektivën e integrimit evropian.

Në përfundim, Kurti e cilësoi konferencën KosovaPAR2026 si mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e zgjidhjeve konkrete, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve që diskutimet t’i orientojnë drejt ndërtimit të një administrate profesionale, transparente dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

Konferenca ndërkombëtare KosovaPAR2026 po mbahet në Prishtinë dhe synon të krijojë hapësirë për diskutime mbi modernizimin e administratës publike, digjitalizimin dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucione. /Telegrafi/