Raporti/ Europa do të mbetet fuqia kryesore e turizmit botëror në dekadën e ardhshme
Europa pritet të ruajë pozicionin si destinacioni më i rëndësishëm turistik në botë gjatë dekadës së ardhshme. Kërkesa për akomodim turistik parashikohet të rritet me rreth një të tretën deri në vitin 2036, ndërsa udhëtimet mes vendeve europiane do të vazhdojnë të përbëjnë pjesën dërrmuese të tregut.
Këto janë përfundimet e raportit të ri të grupit hotelier Accor, të titulluar The Changing Face of Europe’s Tourism Map to 2036, i cili mbështetet në të dhënat dhe projeksionet e Tourism Economics.
Sipas studimit, numri i netëve të qëndrimit në strukturat akomoduese europiane pritet të rritet me 32% gjatë periudhës 2026–2036. Kjo përkthehet në 1.6 miliardë netë qëndrimi shtesë në vit. Për sektorin hotelier, rritja parashikohet edhe më e lartë, në 33%.
Europa e nis këtë periudhë nga një pozicion dominues. Në vitin 2025, kontinenti priti 810 milionë vizitorë ndërkombëtarë, më shumë se çdo rajon tjetër i botës. Kjo përfaqësonte 53% të turistëve ndërkombëtarë në nivel global, ndërsa të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar tejkaluan 700 miliardë euro.
Raporti evidenton se perspektiva e rritjes lidhet me ndryshimin e flukseve turistike, investimet në infrastrukturë, shfaqjen e destinacioneve të reja dhe zgjerimin e mundësive për udhëtime ndërkombëtare.
Një nga avantazhet kryesore konkurruese të Europës mbetet larmia e ofertës turistike. Brenda një hapësire gjeografike relativisht të kufizuar, kontinenti ofron qytete të mëdha, destinacione bregdetare, vendpushime dimërore, parqe kombëtare, trashëgimi historike, gastronomi dhe aktivitete kulturore.
Destinacionet e reja turistike pritet të regjistrojnë rritjen më të shpejtë
Studimi parashikon se netët e qëndrimit të turistëve ndërkombëtarë në Europë do të rriten me 42% gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa ato të turistëve vendas me 24%.
Megjithatë, pjesa më e madhe e vizitorëve do të vazhdojë të vijë nga vetë kontinenti europian. Sipas projeksioneve, 77% e mbërritjeve turistike do të jenë udhëtime brenda Europës.
Gjermania pritet të jetë tregu kryesor i origjinës së turistëve, me 14% të mbërritjeve, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 8%, Franca dhe Shtetet e Bashkuara me nga 5%, si dhe Holanda me 4%.
Deri në vitin 2036, turistët gjermanë parashikohet të përbëjnë tregun më të madh të origjinës për Francën dhe Poloninë. Holanda pritet të kryesojë për turistët që vizitojnë Gjermaninë, britanikët për Spanjën dhe amerikanët për Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, destinacionet më pak tradicionale pritet të regjistrojnë disa nga ritmet më të larta të zgjerimit. Megjithëse Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania do të mbeten ndër destinacionet më të kërkuara, vende të tjera pritet të fitojnë peshë në hartën turistike.
Turistët nga Kina dhe Lindja e Mesme do të nxisin zgjerimin
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet të jetë rritja e kërkesës nga tregjet jashtë Europës.
Mbërritjet turistike nga Lindja e Mesme parashikohet të rriten me 93% deri në vitin 2036, ndërsa ato nga Azia me 88%.
Kina pritet të jetë një nga tregjet me zgjerimin më të shpejtë, me një rritje të parashikuar prej 138% të vizitorëve drejt Europës. Numri i turistëve nga Arabia Saudite pritet të rritet me 55%.
Edhe tregjet e tjera ndërkombëtare pritet të kontribuojnë në rritjen e turizmit europian. Mbërritjet nga Afrika parashikohet të shtohen me 46%, nga Amerika e Jugut me 42% dhe nga Amerika e Veriut me 26%.
Këto projeksione tregojnë se, ndonëse udhëtimet brenda kontinentit do të vazhdojnë të dominojnë në numër, tregjet më të largëta pritet të marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zgjerimin e kërkesës turistike.
Raporti parashikon kështu një dekadë rritjeje për industrinë europiane të udhëtimeve, ku destinacionet tradicionale do të ruajnë peshën e tyre, por një pjesë e zhvillimit më dinamik do të zhvendoset drejt vendeve që deri më tani kanë pasur një rol më të kufizuar në turizmin ndërkombëtar./ EURONEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









