Kryeministri Edi Rama u është drejtuar qytetarëve me një mesazh ku ka shpallur ndryshimet e reja fiskale për vitin 2027, nga ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore në 6%, te ulja me 32 lekë e çmimit të naftës, rritja e taksave për dividentët dhe mallrat e luksit, si dhe rritja e bursave për studentët nga familjet në vështirësi ekonomike. Rama u ndal edhe te protestat në Tiranë, duke akuzuar protestuesit për dhunë dhe duke deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, por do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit. Ai ftoi studentët në dialog, ndërsa paralajmëroi se shteti do të zbatojë ligjin ndaj atyre qëcenojnë rendin demokratik.
Fjala e plotë
Mirëdita të gjithëve!
E kam pyetur veten vazhdimisht këto ditë:
A është e mundur të pranohet si normalitet, agresioni i një turme, e cila, në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, kërkon të na imponohet të gjithëve, jo thjesht duke thyer xhamat e Ministrisë së Arsimit dhe dyqaneve pranë saj, po duke thyer çdo normë të bashkëjetesës mes njerëzish të të njëjtit qytet?
Dhe kur them të gjithë nuk kam parasysh veten, qeverinë, shumicën parlamentare. Jo, kam parasysh të gjithë, pa përjashtim të gjithë ata, që nuk janë pjesë e këtij agresioni dhe që përjetojnë frikë, pasiguri, pështjellim nga kjo turmë dhunuesish urbanë dhe përndjekësish online.
Patjetër që kam parasysh edhe ata që nuk e kanë votuar këtë qeveri, nuk më duan mua kryeministër, nuk janë dakord me asgjë që ne bëjmë, po ama duan të lëvizin lirisht në këtë qytet, duan të çojnë fëmijët në shkollë, të shkojnë në punë, të mbajnë hapur dyqanet deri në darkë, të shëtisin në mbrëmje të patrazuar. Shkurt, duan të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre, për shkak të një turme agresive ndaj normalitetit të Tiranës.
A mundet të na imponohet të gjithëve një turmë, e cila pasi ka ardhur me muaj të tërë vërdallë nëpër Tiranë, duke xhiruar përnatë rrugët e qendrës me britma dhe të shara dhe duke shqetësuar njerëzit e ulur nëpër kafe, brenda nëpër dyqane, restorante ose lart nëpër shtëpi, apo duke u jashtënxjerrë në kryqëzime për të bllokuar trafikun, duke bullizuar e goditur drejtues automjetesh të penguar në rrugën e tyre, pa pyetur fare për lirinë dhe për të drejtat e askujt tjetër, shpërthen në një furi dhune, me gurë e me zjarr kundër qytetit, kundër institucioneve, kundër dyqaneve, kundër policisë së shtetit?
Kush janë këta dhe në emër të kujt duan t'i imponojnë shoqërisë sonë, kryeqytetit tonë, vendit tonë, shembullin e forcës së verbër të anti-ligjit dhe anti-njerëzillëkut?
Nuk dua t'i rikthehem këtu përbërjes së kësaj turme, një mishmash kategorish ku janë mbledhur bashkë individë e grupe sociale, parti politike që s'kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. As dua të përsëris këtu përzierjen e duarve të huaja, parasë së zezë, krimit të organizuar...
Ky mish-mash ka një devizë përbashkuese qysh kur tribuna e flamingove u kthye në një vendgrumbullim sorrash e korbash: ’’Ne jemi populli, ne nuk e durojmë dot më këtë sistem, ne nuk e duam më këtë qeveri, ne nuk e pranojmë më këtë kryeministër!
Jep dorëheqjen, bindju popullit’’.
Keqkuptimi i madh shumë!
Fatmirësisht, askush nga ne nuk është populli përveç vetë popullit dhe ky mishmash të keqkuptuarish që kanë marrë ‘’peng’’ Tiranën, bashkë me vëmendjen e një populli të tërë falë edhe ekraneve të korruptuara televizive që i bëjnë hosana dhunës e vulgaritetit, nuk ka asnjë lidhje me popullin, dhe nuk ka jo e jo, asnjë autorizim për të folur në emër të popullit sepse populli flet vetë, me votën e tij dhe as kjo turmë e verbër, as ne vetë dhe as askush tjetër, po vetëm ai, Sovrani popull, i jep mandatet për të folur e për të vendosur në emrin e tij.
Kjo është marrëveshja themelore e demokracisë, ashtu sikundër është liria dhe e drejta e secilit në demokraci të flasë në emrin e vet personal apo në emër të grupimit, organizatës, shoqatës, sindikatës apo komunitetit ku bën pjesë; të kërkojë atë që mendon, atë që dëshiron apo edhe atë që i teket po të dojë; të dalë në rrugë, të protestojë, të bëjë grevë për atë që mendon se i takon.
Por liria dhe e drejta e tij, e tyre, e të gjithë atyre që duan t’u imponojnë të tjerëve mendjen, idetë, kërkesat, bindjet e tyre, mbaron aty ku nis liria dhe e drejta e të tjerëve për të pasur mendjen, idetë, qëndrimet dhe bindjet e tyre.
Dhe mbi të gjitha jetën e tyre.
Ky kufi e ndan ligjin e bashkëjetesës demokratike nga ligjësitë e totalitarizmave apo të xhunglës, ku sundon dhuna, forca, frika dhe nënshtrimi pa kushte. Këtë kufi, pikërisht këtë kufi e kapërcyen me dhunë fashistët dhe komunistët, në emër të popullit, kundër sistemit, me dhunë e me terror, pastaj çfarë sollën për popullin dhe çfarë sollën për vendin e dimë mirë që të gjithë. Ose të paktën që të gjithë ata që dinë historinë dhe nuk ngatërrojnë Ismail Qemalin me Ismail Kadarenë.
E pyes veten shumë këto ditë: A është e mundur të mirëkuptohet tërë kjo furi dhune verbale, kërcënimesh, sharjesh, presionesh dhe shantazhesh, që gëlojnë në rrjetet sociale e në komunikimet digjitale, ndaj kujtdo që nuk i bindet agresionit imponues të kësaj turme, jo që nuk i bindet por që nuk i bën hosana kësaj turme; një turmë që nuk kërkon thjesht të dëgjohet, por pretendon të mbështetet pa kushte, në kuturisjen e saj anti-demokratike, ku në fjalorin e vet bazik në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, nuk ka asnjë fije respekti për asnjë normë mirësjelljeje, për asnjë standard komunikimi, për asnjë formë dialogu apo ballafaqimi?
Mua personalisht më rezulton e pamundur ta mirëkuptoj këtë sulm frontal mbi kodin e qytetërimit tonë, ku pavarësisht defiçiteve demokratike që ka kultura jonë e bashkëjetesës, e ku të gjithë kemi pjesën tonë të fajit pa diskutim ,as tradita familjare shqiptare, as normat demokratike të bashkëjetesës, as civilizimi europian nuk kanë asgjë të përbashkët me përmbajtjen gjerësisht vulgare të këtij sulmi të dhunshëm gjuhësor, në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, ku me tamam siç thotë populli: ‘’Gjuha kocka s'ka po kocka thyen’’! Madje me ndihmën e VIP-ave të ekraneve televizive, po thyen edhe automate e po djeg edhe banka.
Detyra më ka çuar tërë këto vite në çdo skaj e skutë të Shqipërisë, ku kam takuar një pafundësi njerëzish e kam parë një pafundësi realitetesh familjare të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.
Por mes pafundësisë së dritave e të hijeve të realitetit tonë, kam parë qartësisht se sa ndryshe, se sa e sa herë më e thellë në shpirtin e saj dhe më e kthjellët në mendjen e saj, është Shqipëria që nuk përfaqësohet as nga kjo turmë agresorësh të hapësirës publike - qoftë në rrugët e Tiranës, qoftë në pasqyrat e ajfonëve (iPhone) - e as jo e jo, nga ekranet e korruptuara televizive, ku një luzmë urrejtësish profesionistë dhe VIP-ash e tipash që jetojnë në luksin e evazionit fiskal, janë bërë këto javët e fundit një kor si të dehurish nga kënaqësia e dhunës.
Të tërë këta, në rrugë dhe në ekran, thonë se duan ‘’kokën time’’, po në fakt unë me shumicën që qeveris, jam pengesa e madhe mes tyre dhe asaj Shqipërie që i ka lënë pas rrëmujat, borxhet , shëmtinë urbane që rrit me punë e me mund ekonominë e saj, investimet, pagat e pensionet, që e lufton korrupsionin e krimin me një drejtësi të pavarur, pa parë majtas, pa parë djathtas, që sjell në derë 12 milionë e më shumë turistë çdo vit, që respektohet ndërkombëtarisht si asnjëherë me parë dhe që po negocion me Bashkimin Europian mbylljen e kapitujve të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Ata që urrejtja, për arsye nga më të ndryshmet, i pengon ta shikojnë dhe ta pranojnë këtë Shqipëri në transformim historik, e cila ka probleme e halle sa të duash, po njëkohësisht hedh çdo ditë hapa përpara, me këtë shumicë qeverisëse dhe me punën e shumicës dërmuese të shqiptarëve, janë absolutisht në të drejtën e tyre të kritikojnë, të protestojnë, të kërkojnë dorëheqjen time, sa në rrugë dhe sa në ekrane, por unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime, deri ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që ma kanë besuar këtë detyrë për të bërë ç’mosin tim për këtë vend të bekuar, dhe jo për t'u ardhur pas avazit atyre që thonë jemi studentë dhe shkulin gurët e bulevardit, që të godasin policinë apo atyre që thonë jemi media, dhe i mbajnë ndezur antenat e tyre me para të pista, për t'i bërë himne dhunës ndaj policisë apo i ushqejnë me zarfa në dorë dhunuesit me kravata e me dekolte alla Big Brother të ekraneve të tyre.
Të nderuar bashkëqytetarë e bashkëqytetare, pa dallim bindjesh e përkatësish politike, të gjithë ju që s’keni lidhje me dhunën dhe që e refuzoni dhunën si një mjet të shprehjes se pakënaqësisë suaj por dhe të gjithë ju që dhe në këto ditë të vështira nuk keni munguar së treguari mbështetjen dhe solidaritetin tuaj jo për mua, por për një përpjekje që nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ndalet.
E kam thënë kur s'kishte asnjë protestë në horizont, e kam nënvizuar vazhdimisht kur kërkova mandatin e katërt, se qëllimi im është që çdo vit shqiptarët të marrin më shumë nga rritja ekonomike e Shqipërisë.
Dhe çdo vit e kemi rritur volumin e rishpërndarjes së fryteve të rritjes ekonomike, duke shfrytëzuar çdo mundësi të re të buxhetit pasardhës, për paga, investime, shpenzime sociale. Ashtu sikundër pikërisht sepse ekonomia na e ka dhënë mundësinë, jemi zotuar që në këtë rishpërndarje, rritja e pensioneve të dyfishohet në çdo vit pasardhës, deri në fund të mandatit të katërt. Në janar, pensionistët do ta ri verifikojnë këtë zotim në pensionin e tyre të parë të vitit të ardhshëm, ku rritja e këtij viti do të jetë e dyfishuar.
E kam thënë çdo herë edhe kur kam folur për të gjithë ata që e bënë madhështore në krye të herës protestën e flamingove:
Jam i vetëdijshëm për presionin e rritur të kostos së jetesës së përditshme mbi familjet e zakonshme, nga rritja e çmimit të karburantit dhe ushqimeve apo rritja e kostos së strehimit për më të rinjtë në këtë transformim ekonomik i cili duhet me çdo kusht dhe me çdo mjet hap pas hapi të ekuilibrohet.
Vetëm tre ditë më parë, ju thashë që pas Paketës së re Ligjore për dhunën e anarkinë urbane, do t'ju bëja me dije kështu drejtpërdrejtë edhe masat e reja për lehtësimin e pikërisht familjeve të zakonshme. Jo si premtime, po si vendime të qeverisë, në kuadrin e buxhetit të ri të shtetit për vitin 2027 që sot ia përcjellim Kuvendit të Shqipërisë.
Për herë të parë në histori, buxheti i shtetit shqiptar kalon pragun e 10 miliardë eurove. Edhe e vetme, kjo shifër mjafton për t'u thënë të tërë atyre që duan ta mbulojnë dritën e progresit të Shqipërisë, me shoshën e urrejtjes dhe xhelozisë, se Shqipëria rritet dhe ekonomia e saj gjithashtu. Ndërkohë që borxhi publik i Shqipërisë, ka rënë në një prag të poshtëm historik po ashtu.
Nuk e them unë, nuk e themi ne, e thonë të gjitha shifrat dhe faktet e institucioneve financiare ndërkombëtare, se ekonomia shqiptare vazhdon të jetë ndër më dinamiket ne rajon, me një ecuri të lartë dhe të qëndrueshme, e me rritje të nivelit të të ardhurave reale për të gjitha shtresat e popullatës.
Prekja e pragut prej 30 miliardë eurosh të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, ku 10 vjet më parë ky prodhim ishte te 10 miliardë eurot, e ilustron besnikërisht panoramën optimiste të ekonomisë.
Prandaj ne Buxhetin e vitit 2027 dhe Programin Buxhetor Afatmesëm, i cili përkon me pjesën e dytë të mandatit tonë pikërisht 2027-2029, ne kemi planifikuar një sërë masash shumë ambicioze të politikës ekonomike, fiskale dhe sociale. Mesazhi im është shumë i qartë besoj për të gjithë:
Ne duam më shumë biznese, më shumë kompani, më shumë investime private të vogla e të mëdha, vendase e të huaja. Ne duam po ashtu sa më shumë njerëz të pasur në Shqipëri, sepse problemi nuk janë asnjëherë të pasurit, po është hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë pak.
Prandaj ne mbetemi partizanë të taksimit të ndershëm, kush fiton më shumë paguan më shumë, dhe jemi këtu për të zbutur sa të mundemi hendeqet sociale që krijon transformimi i shpejtë ekonomik.
Lajmi i parë në rradhën e lajmeve të mira që kam sot për familjet e zakonshme të këtij vendi, është se falë pikërisht rritjes së ekonomisë e të mundësive, jemi gati për një hap të shumëdëshiruar dhe të shumëpritur për të gjitha familjet e zakonshme:
1. Ulim normën TVSH për ushqimet bazë – nga 20% ne 6% për 54 produkte, ku përfshihen mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, vezët, miellin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë Euro në vit për ushqimin, që deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH-së 20%. Nga ana tjetër praktika e re e Pasqyrës së Çmimeve do të zgjerohet e fuqizohet, për të garantuar që ulja domethënëse e çmimeve të shportës të jetë e mbrojtur nga abuzuesit e mëdhenj.
2. Rrisim me 1% normën standarde të TVSH-së si një kompensim i ndershëm kontributesh nëpërmjet rishpërndarjes ose e thënë ndryshe, për të gjitha mallrat jashtë shportës të gjithë ne do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit, të jetë e garantuar si një shpenzim i arsyeshëm.
3. Nuk rrisim normën e tatimit të fitimit të sipërmarrjes, e cila mbetet 15% ose e thënë ndryshe në nivelin më të lartë në rajon - dëgjojeni mirë, ndryshe nga sa ju rrokanisin ekranet e korruptuara dhe portalet e paguara, ne i tatojmë të mëdhenjtë, pra biznesin e madh me normën më të lartë në Ballkanin Perëndimor prej 10 e më shumë vitesh. Por sot rrisim ama në normën më të lartë që ka rajoni edhe tatimin mbi dividentin e tyre, i cili duke shkuar nga 8% në 15 %, i ngarkon biznesmenët e mëdhenj me një taksë më të ndershme mbi fitimin e tyre, në funksion përsëri të lehtësimit të atyre që kanë më pak.
4. Ulim barrën tatimore, më vjen natyrshëm buzëqeshja sepse janë 32,000 tatimpagues që janë pjesë vitale e shtresës së mesme që e kërkojnë prej kohësh këtë lëvizje, rritjen e pragun të sipërm të tatimit mbi pagën, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Këtë lëvizje nuk na e lejonte ekonomia deri dje, sot rritja e ekonomisë na jep mundësinë.
5. Nga ana tjetër vendosim një prag të ri të tatimit mbi pagën 700 mijë lekë të reja, ku norma e tatimit bëhet 30%, në radhë të parë si një instrument për të mbyllur shtegun e evazionit të dividentit.
6. Po ashtu, ulim pragun e aplikimit te TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, pasi nuk mund të lejojmë që shumë biznese të vogla të vazhdojnë të abuzohen duke i shërbyer si guacka bizneseve të mëdha për tu fshehur. Kjo lëvizje duhet të shërbejë si paralajmërim edhe për bizneset nën 5 milionë lekë, që të mos luajnë me faturat e të mëdhenjve, nëse nuk duan të hyjnë në regjimin e TVSH-së vitin e ardhshëm. Ndërkohë, qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029.
7. Rrisim edhe normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10 %, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin. Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim në kushtet kur të ardhurat e tyre rriten dhe vetëm rriten e rriten çdo vit.
8. Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follëer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave. Paralelisht po punohet në ligje e vendime të tjera, edhe për disa masa të reja që shkojnë po në këtë drejtim, solidaritet me ata që e ndjejnë më shumë presionin e rritjes së kostove të jetesës nga rritja ekonomike dhe nga zhvillimi i shpejtë ekonomik që krijon vetvetiu pastaj hendeqe dhe ne duhet të jemi aty për t’i ngushtuar. Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t'i japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve); një super-taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj ndërsa në këtë paketë fiskale do të ketë edhe një super-taksë për makinat e luksit.
9. Në ndërkohë, pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, për faktin se formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Europian ose e thënë më thjeshtë, për të gjithë individët me të ardhura relativisht të larta do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që mbushin prej vitesh të gjithë funksionarët publikë.
10. Këtë e lashë të fundit në radhë, sepse është një tjetër lajm të shumëpritur nga shumëkush, të cilin përsëri duhet ta mbani mirë parasysh, nuk e sjell dëshira e qeverisë, as dëshira ime - se dëshirën e kemi pasur gjithnjë - po e sjell rritja e ekonomisë: Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Tani më lejoni një adresim të posaçëm studentëve.
Ju kam ndjekur me vëmendje këto javë dhe kam komunikuar në mënyrë sporadike me disa prej jush, po edhe me pedagogë e me prindër që më kanë shkruar apo që i kam pyetur për të ditur më shumë.
Dua të them që në fillim: Klima e terrorit të krijuar në mjediset e shkollës apo në celularët tuaj, nga një pakicë e dhunshme mbi shumicën, për të dalë në protestë apo për të mos bërë mësim, është e papranueshme. I papranueshëm është edhe bojkoti i mësimit nga një pjesë e pedagogëve, individë të politizuar që duan të përdorin studentët si mish për top dhe nuk e kanë për herë të parë.
Për këtë të fundit do të ndërhyjmë në ligjin përkatës pasi të konsultohemi edhe me forumin e rektorëve, sepse tjetër është liria dhe e drejta e kritikës, protestës apo e grevës së ligjshme, tjetër është arbitrariteti dhe imponimi mbi ata që duan të bëjnë mësim.
Por përtej këtyre, dua të ndaj me ju drejtpërdrejtë, në sy të të gjithë shqiptarëve, disa të vërteta të thjeshta.
Së pari, jini të bindur se unë jam shumë i vetëdijshëm për vështirësitë e familjeve të shumë prej jush, të cilat janë sfiduar nga rritja e kostove të jetesës dhe këtë vetëdije e tregon qartë edhe paketa e masave lehtësuese që sapo paraqita.
Jam po ashtu i vetëdijshëm edhe për sfidat tuaja dhe nuk dua të bëj kurrsesi krahasime me brezat e mëparshëm, por për një gjë dua të jem shumë i sinqertë me ju:
Unë gjuhën e forcës, të imponimit, të dhunës, nuk e njoh dhe civilizimin europian, traditën shqiptare të radhës në të folur apo normat e bashkëjetesës demokratike, nuk i negocioj me askënd.
Kur isha pedagog i ri, bashkë me të tjerë pedagogë dhe studentë në Akademinë e Arteve, u rebelova ndaj një regjimi brutal pikërisht sepse doja liri, jo imponim, doja dialog të lirë jo dhunë qorre mbi cdo mendim dhe në vazhdën e atij rebelimi të guximshëm po paqësor që u përhap në të gjithë universitetin, studentët e ulën në dialog Presidentin komunist dhe nga aty mori jetë pluralizmi politik.
Më pas, kur isha lider i opozitës, unë i kam shkruar edhe letra për dialog paraardhësit tim, që dialogun me kundërshtarin e di ulje përtokë të hundës së përpjetshme.
Dhe si kryeministër, me dialog e koordinova përpjekjen e përbashkët me studentët për Paktin për Universitetin, pas protestës masive të vitit 2018. Edhe atëherë, u deshën disa javë që të niste dialogu, sepse edhe atëherë, po ata tipa të mbrapshtë mes pedagogëve tuaj, nga një qorr neo-komunist tek ca të verbër demokratikas, bashkë me të reja e të rinj që u venin pas si ithtarët idhujve të rremë, bënin po këtë punë që bëjnë sot: ‘’S'ka dialog, plotëso pikat tona’’!
Mirëpo halli është se sikur të funksiononte kështu liria, nuk do kishte më bashkëjetesë demokratike, po mbijetesë xhungle, kështu që ‘’o bëj si themi ne o ne do thyejmë e do djegim dynjanë, e nuk do shkojmë në mësim, po s’duam mungesa’’ e të tjera si këto, nuk ka!
Ejani të ulemi ku të doni e kur të doni për ato që mendoni se ne duhet të bëjmë më shumë dhe unë duhet të bëj më mirë, për ju, për universitetin dhe për Shqipërinë po të doni.
Dhe ju lutem mos e hani më atë teorinë hileqare që jua përsërisin ata të keqkuptuarit ndër ju që kapën gurët dhe që morën duartrokitjet e atyre të tjerëve në ekranet e korruptuara, se medemek unë nuk ju dëgjova katër muaj në protestë paqësore, prandaj dhuna na paskësh mbetur e vetmja rrugë. Në fakt, unë i dëgjova ata më shumë se askush, se i kisha përnatë këtu poshtë dritares, ndërkohë që unë isha në zyrë duke punuar po kryefjala e tyre ishte po ajo e ditës së parë: ‘’Nuk ka dialog, jep dorëheqjen’’!
I mësova përmendësh edhe fjalimet e tyre, po vizion, ide, kritika sfiduese nuk shquajta dot në atë kakofoni mllefi dhe folklorizmash nacionalistë, që mos o Zot i kanë rrotulluar në varr profetët e kombit shqiptar.
Në ndërkohë, për të gjithë ju që nuk keni nga ta dini se çfarë përfitimesh ju vijnë pikërisht nga ai Pakti për Universitetin, po edhe për të tjerët që mund të bien pre e agjitatorëve simpatikë të instagramit e të tik-tokut, të cilët dinë të përqeshin me një talent të pamohueshëm po nuk kanë kohë t'i hyjnë llogarive, shifrave e fakteve, po ju rreshtoj:
-60%, ose 6 në 10 studentë, sot falë atij pakti përfitojnë të paktën një formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë nga shteti.
-4118 studentë marrin bursë për rezultate të larta në studime;
-4648 studentë të tjerë marrin bursë si fëmijë familjesh në nevojë;
-434 studentë të shkëlqyer marrin bursë sa një pagë minimale çdo muaj;
-10152 janë të përjashtuar plotësisht nga tarifa e Universitetit;
-27050 të tjerëve ua paguan qeveria 50% të tarifës së studimit.
Të gjitha këto thonë që treçerekun e financimit të universiteteve publike e bën qeveria. Për shembull në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, nga ku një grup studentësh lënë mësimin prej dy javësh dhe bllokojnë ‘’rrugën e Durrësit’’, duke lënë pa punë të tjerët aty e duke penguar lëvizjen e shumë të tjerëve në qytet, tarifa për studimet përfaqëson më pak se 20% të kostos për student, ndërkohë që kjo qeveri, përsëri falë Paktit për Universitetin, i mbulon më shumë se 80% të kostos së studimit studentëve të mjekësisë, pa llogaritur këtu studentët që përfitojnë nga përjashtimet ose përgjysmimi i tarifës.
Një kujtesë të vogël: Qeveria i nxjerr këto lekë nga kontributet e pikërisht atyre bizneseve në ‘’rrugën e Durrësit’’ që rrinë mbyllur nga terrori i gurëve, atyre të tjerëve që qarkullojnë mallrat e shërbimet në rrugën e bllokuar të Durrësit dhe të gjithë atyre qytetarëve e bizneseve të Tiranës e të Shqipërisë, që në këto javë dhune e anarkie, kanë humbur qetësinë dhe kanë punuar dhe kanë prodhuar më pak të ardhura.
Po ashtu në Tiranë, tarifat që paguajnë studentët për konviktet mbulojnë më pak se një të tretën e kostos vjetore, pa llogaritur këtu investimet që janë bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen për të rritur kapacitetet dhe cilësinë e konvikteve – dhe meqë ra fjala janë tani në dispozicion të negociuara dhe të miratuara prej kohësh 100 milionë Euro të tjera për konviktet. Sepse Pakti i Universitetit nuk është një postim në Instagram apo në Tik-Tok, as një platformë e harruar elektorale e atyre partive që premtojnë qilima fluturues se e dinë që nuk do fluturojnë dot asnjëherë deri na maj por është marrëveshja jonë me universitetin dhe studentët e 2018-ës, falë të cilëve po përfitoni edhe ju sot.
Ndërkohë që, nëse doni ta rishikojmë Paktin e të lini gjurmën tuaj edhe për studentët pas jush, bujrum, me dialog, me njerëzillëk dhe durim. Unë jam gjithnjë në dispozicion në vendin dhe në kohën që mund ta zgjidhni vet.
Nga ana tjetër, lajmi i mirë nga ana jonë për ju, që vjen edhe ky nga ekonomia e rritur si të gjitha lajmet e sotme, është se të gjithë studentëve që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike bursa u rritet me plus 15 mijë lekë të reja, pra u bëhet praktikisht sa një gjysmë page minimale, 25 mijë lekë dhe u shtrihet edhe në nivelin master.
Ndërkohë në ligjin e ri për strehimin, që është tanimë në Parlament, kemi parashikime të tjera lehtësuese për studentët e për çiftet e reja, që nga qiratë e bashkë-financuara me qeverinë deri te kreditë me zero apo vetëm 3% interes sipas kritereve dhe kushteve që përcaktohen nga ligji.
Po ashtu, do të sjellim edhe një risi për praktikat e punës, duke vendosur kusht për biznesin që sipas një formule të caktuar, të punësojë studentë me një gjysmë page minimale.
E fundit për sot lidhur me studentët.
Në ditët në vijim do të hapim një dritare digjitale për dialogun, e cila do t'i shërbejë të gjithë atyre që duan të dialogojnë me mua po kanë frikë, frikë në vitin 2027. Frikë, kur nga ana tjetër pretendon se mund të marrësh në dorë Shqipërinë, frikë nga e drejta jote për të folur lirisht. Gjithsesi për të gjithë ata që kanë frikë nga dhunuesit online do të jetë kjo faqe e cila do të më shërbejë mua dhe kolegëve të mi, për të dëgjuar sa më shumë e për të mbledhur sa më shumë opinione nga studentët.
Miq,
Shqipëria është shumë e vogël për t'u kthyer në arenë sherresh primitive, ndërkohë që rritja e mëtejshme e ekonomisë sonë dhe krijimi i mundësive të reja për të rishpërndarë më shumë të ardhura prej saj, kërkojnë stabilitet, siguri, qetësi dhe punë, punë, punë. Mund, mund, mund. Këmbëngulje, këmbëngulje, këmbëngulje!
Zgjatja e protestës së flamengove nga soj-soj sorrash e korbash të etur për sherr, për pushtet, për përçarje shoqërore dhe fetare, për destabilizim e për hakmarrje ndaj suksesit ndërkombëtar të Shqipërisë, e dëmtoi turizmin dhe i uli të ardhurat që mund të kishim marrë edhe më shumë nga sezoni i verës për të rishpërndarë.
Këto bam-bumet e këtyre javëve nuk kanë asnjë shans të largojnë qeverinë, por ama e kanë goditur ekonominë dhe vetë Shqipërinë, e cila prej dy javësh eksporton pamje që nuk i ftojnë po i largojnë turistët; që nuk i ftojnë po i largojnë investitorët; që nuk e ftojnë po e largojnë paranë nga vendi.
Dhe për çfarë? Për interesat e kujt mund t'ia vlejë kjo luftë qorre?
Ju thashë, nuk dua të rikthehem sot te ata që janë para, që janë brenda, që janë mbrapa këtij mish-mashi të pistë, po një gjë është e sigurtë:
Kjo luftë qorre nuk sjell asnjë të mirë për Shqipërinë dhe nuk i mbron, përkundrazi, i dëmton të gjithë ata që jetojnë dhe duan të jetojnë në këtë vend me punë të ndershme. Që rrisin fëmijë dhe duan t’i kenë fëmijët të rritur këtu në një shtëpi të përbashkët që është shumë më e mirë për të gjithë.
Unë jam këtu për ta dhe kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse, do të jetë këtu për ta deri ditën e fundit të mandatit.
Të tjerët më kanë dhe do të më kenë përballë, me dialog kur të duan e ku të duan dhe me forcën e ligjit dhe të normave të bashkëjetesës demokratike, sa herë do të gabojnë të sfidojnë ligjin dhe rendin demokratik të këtij vendi.
Nganjëherë shteti vonon por asnjëherë shteti nuk harron!
Dhe unë nuk jam as bloger, as influencer, e nuk kam as detyrë të pëlqehem as nevojë të marr pëlqime, po kam detyrë ta udhëheq Shqipërinë drejt objektivit historik, tryezës së Bashkimit Europian. Prandaj nuk ndalem, nuk ndalemi, nuk do të më ndalin dhe nuk do na ndalë dot askush. Kush jemi ne? Ne jemi shumica e shqiptarëve!
-
A nuk mundet qeveria te ndaloje kete dhune,?jane vetem nje grusht njerëzish qe po shkatrrojne.
Përgjigju









Komente
Komento