Ndërsa studentët vijojnë marshimin në rrugët e qytetit, në ditën e 16 të protestës, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj thirrjeve për dorëheqjen e tij, duke deklaruar se do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Rama kritikoi gjuhën dhe sjelljen e protestuesve, duke pretenduar se një pjesë e tyre po ushtrojnë presion ndaj atyre që nuk mbështesin qëndrimet e tyre. Ai u shpreh se kjo mënyrë proteste nuk përfaqëson rininë shqiptare.
“A është e mundur të mirëkuptohet kjo dhunë, presion e shantazh që gëlojnë ndaj kujtdo që nuk i bindet dhe nuk i bën hosana kësaj turme? Një turmë që nuk kërkon që të dëgjohet, por pretendon të vendosë në emër të rinisë”, deklaroi kryeministri.
Rama kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur gjatë protestave dhe përmendi dëmtimin e automjeteve dhe të bankave, duke pretenduar se këto veprime nuk përfaqësojnë shoqërinë shqiptare.
“Shqipëria nuk përfaqësohet nga kjo turmë”, u shpreh ai, duke shtuar se protestat nuk ndryshojnë qëndrimin e tij për të vijuar detyrën deri në përfundimin e mandatit.
“Jam dhe do të jem deri në ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm”, tha Rama, duke iu referuar mandatit të katërt dhe duke mbrojtur bilancin e qeverisë së tij në rishpërndarjen e të ardhurave për paga, investime dhe shpenzime sociale.