Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi ashpër funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, duke vlerësuar se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka pasur një “zinxhir sistemor lëshimesh” nga institucionet përgjegjëse.
Në mbledhjen e Qeverisë të së mërkurës, Kurti e cilësoi reformimin e drejtësisë si urgjencë kombëtare dhe paralajmëroi se Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë afat deri të enjten, në orën 18:00, për të dorëzuar raportet e tyre të detajuara mbi evidencat dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.
“Tash, kur po flasim, kanë mbetur edhe 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e atij raporti, të cilin sigurisht se do ta ndaj me publikun. Nesër mbrëma, para orës 18:00, i pres raportet”, tha ai. “Secila vrasje është vepër e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet, të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë. Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, në fakt, nuk kishte sesi të përfundonte ndryshe. Kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”.
Në orët e vona të 27 tetorit, Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan vrasësin e dyshuar, kunatin e Zekajt. 49-vjeçarja u vra pranë shtëpisë së saj në Vitomiricë të Pejës, mbrëmjen e 25 tetorit, pasi pak më herët kishte raportuar në polici dhunë në familje nga ish-bashkëshorti i saj dhe ishte ankuar për mosreagimin e institucioneve.
Kurti tha se në Kosovë, drejtësia “fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi, drejtësia ka dalë në krahun e të fortit”. Sipas tij, drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër.












