Arsenali do të kundërshtojë kartonin e kuq të Max Dowmanit

Klubi i Arsenalit ka nisur përgatitjet për të apeluar përjashtimin e Max Dowmanit, pasi mesfushori 16-vjeçar u ndëshkua me të kuq në humbjen befasuese ndaj Fleetwood Townit, në raundin e katërt të Carabao Cup.

Dowman u largua nga fusha në minutat e fundit të ndeshjes së së martës. Ai goditi Harrison Neal, pasi ky i fundit ndërhyri ashpër ndaj tij.

Të lidhura

None found

Arsenali e konsideron të tepruar vendimin për karton të kuq të drejtpërdrejtë dhe do ta kundërshtojë, pasi përjashtimi mund të pasohet nga tri ndeshje pezullim në garat vendore.

Sipas Standard Sport, londinezët duhet ta paraqesin ankesën në Federatën Angleze të Futbollit (FA) deri të enjten, në orën 13:00 sipas kohës britanike.

Klubi shpreson që FA të japë një vendim përpara ndeshjes së së dielës me Liverpoolin në Ligën Premier, por koha e shqyrtimit do të caktohet nga federata.

Nëse ankesa nuk pranohet, 16-vjeçari do të mungojë ndaj Liverpoolit, Hull Cityt dhe Newcastle Unitedit, në tri ndeshjet e ardhshme.

Pezullimi nuk vlen për garat evropiane, ndaj Dowman mund të luajë kundër Slavia Pragës në Ligën e Kampionëve më 4 nëntor.

Rasti i tij i shtohet një periudhe të vështirë për Mikel Artetën, i cili po përballet me mungesa të rëndësishme në sulm. Bukayo Saka është jashtë për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshë, ndërsa Noni Madueke ka probleme me kyçin e këmbës.

Arteta është shprehur i pakënaqur me reagimin e Dowmanit gjatë sfidës ndaj Fleetwoodit. Tani Arsenali pret vendimin e FA-së, duke shpresuar se mesfushori i ri do të shmangë pezullimin dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjet e rëndësishme të ekipit.


Shtuar më 28.10.2026 15:06

Quantcast