Kryeinspektori Dashnor Sula ka bërë të ditur se gjatë vitit 2027 inspektorët shtetërorë do të pajisen me uniforma, ndërsa kontrollet ndaj bizneseve do të kryhen përmes një sistemi të ri dixhital, me synimin për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin.
Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Sula tha se fondi për uniformat është parashikuar në buxhetin e shtetit.
Ai ironizoi paraqitjen e inspektorëve pa uniforma, duke përmendur veshjet e markave luksoze, dhe theksoi se pajisja me uniforma do t’i bëjë ata më të identifikueshëm gjatë kontrolleve në terren.
“Sot janë pa uniformë: njëri e ke me Louis Vuitton, një me Hermès, një me Marsup. Kjo është e tmerrshme. Ata duhet të jenë të identifikuar në rrugë. Kjo do t’i identifikojë ata. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027 do të kemi përfunduar gjithçka, besoj”, deklaroi Sula.
Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së bizneseve që do t’i nënshtrohen kontrolleve.
Sipas kryeinspektorit, po punohet për ngritjen e një platforme dixhitale që do të përcaktojë subjektet që do të inspektohen, duke shmangur kontrollet e fragmentuara dhe përzgjedhjen sipas dëshirës së inspektorëve.
“Nuk do të ketë inspektime fragmentare. Nuk do të përzgjidhen ato që do Dash Sula, por biznesi do të përzgjidhet përmes sistemit. Do të ketë një sistem ku do të përcaktohen bizneset”, u shpreh ai.
Sula bëri të ditur se sistemi i ri do të përfshijë edhe monitorimin e inspektorëve përmes kamerave inteligjente. Sipas tij, çdo inspektim do të dokumentohet me prova dhe regjistrime audio e video, ndërsa bizneset do të kenë mundësi të informohen për kontrollet përmes portalit të institucionit.
“Çdo inspektor do të jetë i monitoruar me kamera inteligjente, smart. Çdo inspektim do të shoqërohet me prova. Do të kemi edhe zë, çdo gjë të xhiruar. Çdo subjekt, sipas fushave përkatëse, do të ketë mundësi që, përpara se të inspektohet, të kontrollojë në portalin tonë”, tha kryeinspektori.
Ai njoftoi gjithashtu se mbikëqyrja pritet të shtrihet edhe te gjobat e vendosura nga Tatimet, Policia e Shtetit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe inspektoratet e bashkive. Sipas Sulës, institucioni po punon për përmirësimin e bazës ligjore që do të mundësojë zgjerimin e këtij kontrolli.
“Me ligjin që kemi për inspektimet do të marrim nën mbikëqyrje gjobat e Tatim-Taksave. E kemi marrë dhe po përmirësohemi nga ana ligjore, si dhe gjobat e automjeteve nga ana e Policisë së Shtetit, IMT-ve dhe bashkive në të gjithë Shqipërinë. Do të zgjerohemi”, deklaroi ai.
Kryeinspektori u ndal edhe te marrëdhënia e tij me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se nuk ka komunikuar me të lidhur me dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve. Sula tha se ishte emëruar nga Rama, por theksoi se nuk do të pranonte të qëndronte në detyrë nëse do të abuzonte me pushtetin.
“Ai më vuri në këtë detyrë, jam emëruar nga ai. I kam thënë: ‘Nëse Dash Sula kthehet në një bandit, një xhepist me bandën e vet aty, unë të jap duart!’”, u shpreh Sula.
Sipas tij, puna për sistemin e ri të inspektimit ka avancuar dhe dokumentacioni përkatës i është dorëzuar AKSHI-t brenda tre muajve, ndërsa kryeministri i kishte dhënë një afat nëntëmujor për përfundimin e ndryshimeve.
Objektivi, sipas Sulës, është që sistemi i ri dhe pajisja e inspektorëve me uniforma të rrisin kontrollin mbi veprimtarinë e tyre dhe të kufizojnë hapësirat për abuzime.