Një tragjedi e rëndë hekurudhore ka tronditur Spanjën, ku përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe shumë të plagosur.
Sipas autoriteteve rajonale të Kastiljes-La Mançës, numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 64, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në vendngjarje.
Të lidhura
None found
Aksidenti ka sjellë gjithashtu, ndërprerjen e qarkullimit në linjën hekurudhore që lidh Madridin me Andaluzinë.
Mbi 500 pasagjerë në dy trenat
Sipas zëdhënëses së qeverisë rajonale, Ester Padilla, në dy trenat udhëtonin gjithsej më shumë se 500 pasagjerë. Konkretisht, 147 persona ndodheshin në trenin e kompanisë Iryo, ndërsa 397 të tjerë në trenin e kompanisë Renfe.
Sipas raportimeve të Reuters, në aksident u përfshinë një tren i shpejtësisë së lartë AVE, i cili ishte nisur nga Madridi drejt Seviljes, dhe një tren i kompanisë Iryo, i cili ndodhej në drejtimin e kundërt.
Dëshmitarët kanë përshkruar një skenë kaosi, me persona të plagosur rëndë dhe vagonë të dalë nga shinat. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, disa prej vagonëve përfunduan në një skarpatë pranë hekurudhës.
Dëshmitë tronditëse nga vendngjarja
Kryetari i bashkisë së Los Yébenes, Jesús Pérez Martín, e përshkroi situatën si të tmerrshme, duke raportuar për dëmtime të rënda dhe persona me gjymtime.
Një pasagjere e trenit Iryo, e identifikuar si Eduarda, tregoi se goditja ishte aq e fortë sa e kishte hedhur përpara. Fillimisht, ajo mendoi se treni kishte kryer një frenim emergjent, por kuptoi përmasat e tragjedisë kur pa të plagosurit dhe iu kërkua të dilte nga treni.
Pasi arriti në një zonë të sigurt, ajo pa vagonë të dëmtuar rëndë, një pjesë të trenit të varur në shpat dhe një vagon të përfshirë nga flakët.
Sipas dëshmisë së saj, ekipet e shpëtimit, policia dhe ambulancat mbërritën në vendngjarje brenda rreth 20 minutash. “Pashë njerëz të vdekur”, rrëfeu ajo për radion Cadena SER.
Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, u bëri thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak për të ndihmuar të plagosurit.
Reagojnë qeveria spanjolle dhe Bashkimi Evropian
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, anuloi të gjitha angazhimet e tij për ditën e sotme, pasi u shpreh i tronditur nga aksidenti. Edhe Partia Popullore, në opozitë, anuloi aktivitetet e saj të planifikuara.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian deklaroi se është i gatshëm t’u ofrojë autoriteteve spanjolle çdo ndihmë të nevojshme.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, theksoi se është ende shumë herët për të nxjerrë përfundime mbi shkaqet e aksidentit.
Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të tragjedisë, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën në terren.







