Përmirësimi i kushteve për trajtimin e pacientëve me kancer kërkon jo vetëm angazhim profesional nga stafi shëndetësor, por edhe investime në pajisje që e bëjnë procesin e trajtimit më të sigurt dhe më efikas.

Në këtë drejtim, IP Petrol dhe AGS Corporation kanë ndarë fonde për Klinikën e Onkologjisë, përmes të cilave janë siguruar pajisje të reja mjekësore, përfshirë infuzomat, detektorin e venave dhe ngrohësin e plazmës.


Këto pajisje synojnë të lehtësojnë punën e stafit shëndetësor dhe të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen pacientëve të trajtuar në këtë klinikë.

Në aktivitetin e organizuar në Klinikën e Onkologjisë morën pjesë përfaqësues të menaxhmentit të lartë të IP Petrol në Kosovë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Jeton Zejnullahu drejtor i QKUK-së, si dhe Nafije Latifi nga organizata “Jeta Vita”, të cilët iu bashkuan kësaj iniciative në mbështetje të pacientëve me kancer.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tregoi se si lindi ideja për këtë donacion.

Drejtor i Klinikës së Onkologjisë, Ilir KurtishiFoto: Ridvan Slivova

“Ideja ishte para tre-katër muajve, kur zonja Nafije tha: ‘Çka keni nevojë, diçka me ju ndihmu?’ dhe tha se e kemi një donacion, po s’po dimë ku me dhuru’. Atëherë thashë se te ne ka nevojë dhe i orientojmë aty ku duhet”, tha Kurtishi.

Bujar Berisha, drejtor i IP Petrol në Kosovë, theksoi se vendimi për të kontribuar në këtë drejtim u ndikua në nevojat e familjeve të prekura nga sëmundjet e kancerit.

Bujar Berisha, drejtor i Rrjetit IP Petrol në KosovëFoto: Ridvan Slivova

Ai tha se qëllimi i IP Petrol, si kompani përgjegjëse ndaj shoqërisë në Kosovë është të jap një kontribut konkret në përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve.

“Së pari, jemi shumë të lumtur që, pas një pune dhe përkushtimi të gjatë, kjo iniciativë më në fund është realizuar me sukses. Kjo nuk do të ishte e mundur pa angazhimin e bashkëpunëtorëve tanë, të cilët kanë punuar pa ndërprerë për ta bërë këtë projekt realitet. Për këtë, u jemi sinqerisht mirënjohës të gjithëve. Së dyti, kjo iniciativë përfaqëson një vlerë të rëndësishme të filozofisë së kompanisë sonë IP Petrol. Ne besojmë se përgjegjësia e një kompanie shkon përtej aktivitetit të saj të përditshëm ekonomik. Përmes këtij projekti, synojmë të japim kontributin tonë, sado modest, për të lehtësuar trajtimin dhe përkujdesjen ndaj pacientëve të prekur nga kanceri, si dhe për të qenë pranë tyre dhe familjeve të tyre në këtë rrugëtim të vështirë”, ka thënë Berisha.

Tutje ai tha se kjo nuk do të jetë iniciativa e vetme.

“Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo nuk do të jetë një iniciativë e njëhershme. Së bashku me partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë, synojmë ta vazhdojmë këtë angazhim edhe në të ardhmen, duke punuar që kontributi ynë të jetë gjithnjë e më i madh dhe ndikimi ynë sa më domethënës”, tha Berisha.Berisha vlerësoi gjithashtu punën e stafit të Klinikës së Onkologjisë, duke e cilësuar atë si një institucion të veçantë, ku profesionistët shëndetësorë kryejnë punë të jashtëzakonshme", u shpreh ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, foli edhe për investimet e realizuara në Klinikën e Onkologjisë gjatë periudhës së fundit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben VitiaFoto: Ridvan Slivova

Ai bëri të ditur se, në aspektin infrastrukturor, është dyfishuar numri i shtretërve që përdoren për marrjen e terapisë.

Ndërkaq, përfaqësuesit e përfshirë në këtë aktivitet shprehën gatishmërinë që, edhe në të ardhmen, të vazhdojnë mbështetjen për Klinikën e Onkologjisë, në bazë të nevojave të saj dhe në bashkëpunim me operatorë të tjerë ekonomikë e biznese. /Telegrafi/

Foto: Ridvan Slivova