Qeveria e Edi Ramës ka miratuar në kohë rekord lejet dhe licencat për kompanitë e mikut të tij izraelit, Ron Yeffet, duke ngritur pikëpyetje mbi favorizimin e tyre nga administrata shtetërore. “Timak Defence” dhe “1820 Black Oil” janë pajisur me dokumentet përkatëse brenda 1 deri në 3 ditësh, ndonëse procedurat ligjore parashikojnë afate shumë më të gjata. Në fokus është edhe “Timak Defence”, në pronësi të Ron Yeffet dhe kompanisë shtetërore “Kayo”, të cilat janë nën hetim nga SPAK për dyshime mbi afera korruptive.
Nga Syri TV
Ron Yeffet, miku izraelit i kryeministrit Edi Rama, i ka të hapura të gjitha dyert qeveritare për çdo lloj leje e license që i nevojiten kompanive të tij private.
Madje, strukturat qeveritare i miratojnë në kohë rekord, brenda 2-3 ditëve, çdo lloj kërkesë, për të cilat subjekte të tjera zvarriten me javë të tëra në dyert e administratës publike.
“Syri TV” ka konsultuar lejet e licensat që kanë marrë kompanitë e lidhura me Yeffet-in dhe është konstatuar se qeveria ka vepruar në mënyrë reaktive në favor të tij.
Kompania “Timak Defence” e montimit të automjeve ushtarake zotërohet në 80 përqind nga “Timak” me aksioner Ron Yeffet dhe 20 përqind nga shoqëria publike, “Kayo”.“Timak Defence” aplikoi në 17 Gusht 2026 për t’u pajisur me leje mjedisore të tipit B.
Shqyrtimi i aplikimeve të tilla kalon në disa institucione dhe afati ligjor për miratimin ose jo të kërkesës është 32 ditë. Por, kompania e kontrolluar nga Ron Yeffet e ka marrë lejen e firmosur nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, brenda dy ditëve, e konkretisht në 19 gusht.
Po kjo kompani, në 27 Korrik 2026 ka aplikuar për t’u pajisur me licensë për riparimin e automjeteve. Kërkesa u miratua brenda 3 ditëve, në 30 Korrik.
Për të bërë një krahasim të thjeshtë. Në 25 Tetor 2024, kur Ron Yeffet nuk ishte ende pjesë e kompanisë “Timak”, kjo e fundit aplikoi për licensimin për riparim mjetesh. Kërkesa kaloi nëpër filtrat institucionalë dhe u miratua vetëm pas më shumë se 3 javësh.
Një tjetër kompani në pronësi të Ron Yeffet është “1820 blac oil”, e përfshirë në tregun e naftës dhe nënprodukteve të saj. Ai aplikoi në 26 qershor 2025 për t’u pajisur me licensë për tregtimin e hidrokarbureve.
Në përgjithësi, këto kërkesa shqyrtohen brenda 30 ditëve.Por, shoqëria në pronësi të Ron Yeffet u pajis me licensën përkatëse brenda një dite, e përkatësisht në 27 qershor 2025.
© SYRI.net