Rama fton studentët në bisedime deri në fund të mandatit dhe njofton bursë 25 mijë lekë, kredi me interes zero ose 3% dhe punësim me gjysmë page minimale

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje studentëve të ulen për dialog dhe prezantoi masa të reja mbështetëse. Mes tyre janë bursat prej 25 mijë lekësh të reja për studentët nga familje me vështirësi ekonomike, të cilat do të përfshijnë edhe studentët e masterit.

Paketa parashikon gjithashtu ndihmë për strehimin, kredi me interes 0% ose 3% dhe mundësi punësimi për studentët me gjysmën e pagës minimale.

Të lidhura

None found

Fjala e Ramës:

Dua t’u drejtohem posaçërisht studentëve.

Gjatë javëve të fundit ju kam ndjekur me vëmendje. Kam komunikuar herë pas here me disa prej jush, si edhe me pedagogë e prindër që më kanë shkruar ose me të cilët jam lidhur për të kuptuar më mirë situatën.

Po e them qysh në krye: është e papranueshme që një pakicë e dhunshme të krijojë klimë frikësimi në shkolla apo përmes telefonave tuaj, duke ushtruar presion ndaj shumicës që të protestojë ose të mos zhvillojë mësim. Po kaq i papranueshëm është edhe bojkoti nga disa pedagogë të politizuar, të cilët kërkojnë t’i përdorin studentët si mish për top. Kjo nuk është hera e parë që veprojnë kështu.

Për këtë çështje do të ndërhyjmë në ligjin përkatës, pas konsultimeve me forumin e rektorëve. E drejta për kritikë, protestë apo grevë të ligjshme është një gjë; arbitrariteti dhe detyrimi i të tjerëve që të mos ndjekin mësimin janë diçka tjetër.

Përtej kësaj, dua t’ju them drejtpërdrejt, përpara të gjithë shqiptarëve, disa gjëra të thjeshta.

E kuptoj shumë mirë se familjet e një pjese të madhe prej jush po përballen me vështirësi, për shkak të kostove më të larta të jetesës. Paketa lehtësuese që sapo paraqita është dëshmi e kësaj vetëdijeje.

Jam i ndërgjegjshëm edhe për sfidat tuaja. Nuk dua të bëj krahasime me brezat që ju kanë paraprirë, por për një çështje dua të jem i hapur.

Nuk përdor dhe nuk pranoj gjuhën e forcës, imponimin apo dhunën. As traditën shqiptare të dëgjimit të tjetrit, as qytetërimin europian dhe as parimet demokratike të bashkëjetesës nuk i bëj objekt pazari me askënd.

Kur isha pedagog i ri në Akademinë e Arteve, u ngrita bashkë me pedagogë e studentë të tjerë kundër një regjimi brutal. Kërkonim liri, jo imponim, dhe dialog të hapur, jo dhunë ndaj mendimeve të ndryshme. Ajo lëvizje e guximshme, por paqësore, u përhap në të gjithë universitetin. Studentët e ulën në tryezë Presidentin komunist dhe kështu nisi pluralizmi politik.

Më vonë, në kohën kur drejtoja opozitën, i kam dërguar letra për dialog paraardhësit tim, i cili e shihte bisedën me kundërshtarin si përulje të krenarisë së tij.

Edhe si kryeministër, pas protestës masive të vitit 2018, e bashkërendova me studentët përmes dialogut përpjekjen që çoi te Pakti për Universitetin. Atëherë kaluan disa javë para se të niste biseda. Si sot, disa pedagogë të mbrapshtë, nga një qorr neo-komunist deri te disa të verbër demokratikas, u shoqëruan nga të rinj që ndiqnin idhuj të rremë dhe përsërisnin: “S’ka dialog, plotëso pikat tona”!

Por liria nuk mund të funksionojë me parimin “bëj si themi ne, përndryshe do të thyejmë e djegim gjithçka dhe nuk do të vijmë në mësim, por nuk duam mungesa”. Një mënyrë e tillë sjell mbijetesë në xhungël, jo bashkëjetesë demokratike.

Ju ftoj të takohemi aty ku dëshironi dhe kur ta caktoni ju. Mund të flasim për atë që mendoni se duhet të bëjmë më shumë e për mënyrën se si mund të bëj më mirë për ju, universitetin dhe Shqipërinë.

Mos u besoni më pretendimeve të pavërteta që përsërisin disa prej atyre që u përfshinë në dhunë dhe që u duartrokitën nga të tjerë në ekranet e korruptuara. Ata thonë se nuk ju kam dëgjuar gjatë katër muajve të protestës paqësore dhe se, për këtë arsye, dhuna ishte e vetmja rrugë. Në të vërtetë, i kam dëgjuar më shumë se kushdo tjetër: protestuesit i kisha çdo natë poshtë dritares, ndërsa punoja në zyrë. Por kërkesa e tyre që nga dita e parë ishte: “Nuk ka dialog, jep dorëheqjen”!

Fjalimet e tyre i mësova përmendësh, por në atë kakofoni zemërimi dhe folklorizmash nacionaliste nuk gjeta vizion, ide apo kritika sfiduese. Zoti na ruajt, se profetët e kombit shqiptar do të jenë rrotulluar në varr.

Për ata që nuk i dinë përfitimet që u siguron Pakti për Universitetin, si edhe për ata që mund të ndikohen nga agjitatorët simpatikë të Instagramit e Tik-Tokut, të zotë për të përqeshur, por pa kohë për të parë llogaritë, shifrat dhe faktet, po rendis disa të dhëna:

60%, pra 6 në çdo 10 studentë, marrin sot të paktën një formë të drejtpërdrejtë mbështetjeje nga shteti falë paktit.

4118 studentë përfitojnë bursë për rezultate të larta në studime.

4648 studentë marrin bursë si pjesëtarë të familjeve në nevojë.

434 studentë të shkëlqyer përfitojnë çdo muaj bursë sa një pagë minimale.

10152 studentë janë të përjashtuar plotësisht nga tarifa universitare.

27050 studentëve të tjerë qeveria u mbulon 50% të tarifës së studimit.

Këto shifra tregojnë se qeveria financon tre të katërtat e universiteteve publike. Në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ku një grup studentësh kanë ndërprerë mësimin prej dy javësh dhe kanë bllokuar “rrugën e Durrësit”, duke penguar punën e të tjerëve dhe lëvizjen në qytet, tarifa e studimit përbën më pak se 20% të kostos për student. Qeveria, sërish përmes Paktit për Universitetin, mbulon mbi 80% të kostos së studimeve të studentëve të mjekësisë, pa përfshirë ata që përfitojnë përjashtim ose përgjysmim të tarifës.

Këto para vijnë nga kontributet e bizneseve, përfshirë ato të “rrugës së Durrësit” që mbeten të mbyllura nga frika e gurëve, si dhe të sipërmarrjeve e qytetarëve të tjerë që preken nga bllokimi i qarkullimit. Në javët e dhunës dhe anarkisë, shumë prej tyre kanë humbur qetësinë dhe kanë punuar e prodhuar më pak të ardhura.

Në Tiranë, pagesat e studentëve për konviktet mbulojnë më pak se një të tretën e kostos vjetore. Kjo nuk përfshin investimet e kryera dhe ato që do të vijojnë për të përmirësuar kapacitetet e cilësinë e konvikteve. Janë gjithashtu në dispozicion, të negociuara dhe të miratuara prej kohësh, edhe 100 milionë Euro për konviktet. Pakti për Universitetin nuk është një postim në Instagram apo Tik-Tok dhe as një premtim elektoral i harruar nga partitë që ofrojnë gjëra të pamundura. Ai është marrëveshja jonë me universitetin dhe studentët e vitit 2018, prej së cilës përfitoni edhe ju sot.

Nëse dëshironi ta rishikojmë paktin dhe të lini gjurmën tuaj për studentët që vijnë pas jush, jeni të mirëpritur ta bëjmë këtë me dialog, mirëkuptim dhe durim. Jam në dispozicionin tuaj, në vendin dhe kohën që zgjidhni vetë.

Ka edhe një lajm të mirë për ju, i mundësuar nga rritja e ekonomisë, ashtu si edhe masat e tjera të prezantuara sot. Bursa për studentët nga familje në vështirësi ekonomike do të rritet me 15 mijë lekë të reja, duke arritur në 25 mijë lekë, afërsisht sa gjysma e pagës minimale. Përfitimi do të shtrihet edhe te studentët e nivelit master.

Projektligji i ri për strehimin, i cili ndodhet tashmë në Parlament, përfshin masa lehtësuese për studentët dhe çiftet e reja: nga qiratë e bashkëfinancuara me qeverinë deri te kreditë me interes 0% ose 3%, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara në ligj.

Do të sjellim gjithashtu një risi për praktikat e punës. Bizneset do të kenë kusht që, sipas një formule të caktuar, të punësojnë studentë me gjysmën e pagës minimale.

Kaq kisha për studentët sot.

Gjatë ditëve në vijim do të hapim një kanal digjital për dialogun. Ai do t’u shërbejë atyre që duan të bisedojnë me mua, por kanë frikë, madje në vitin 2027. Pretendojnë se mund ta marrin në dorë Shqipërinë, por kanë frikë të ushtrojnë të drejtën për të folur lirshëm. Faqja do t’u japë mundësi edhe atyre që druajnë nga dhuna online të shprehen, ndërsa mua dhe kolegëve të mi do të na ndihmojë të dëgjojmë e të mbledhim sa më shumë mendime nga studentët.

Miq,

Shqipëria është tepër e vogël që të kthehet në fushë për përplasje primitive. Rritja e mëtejshme e ekonomisë dhe krijimi i mundësive për të shpërndarë më shumë të ardhura kërkojnë stabilitet, siguri, qetësi dhe punë. Punë, punë, punë. Mundësi, mundësi, mundësi. Këmbëngulje, këmbëngulje, këmbëngulje!

Zgjatja e protestës së flamengove, nga grupe të ndryshme sorrash e korbash të etura për sherr, pushtet, përçarje shoqërore e fetare, destabilizim dhe hakmarrje për suksesin ndërkombëtar të Shqipërisë, i ka bërë dëm turizmit. Ajo ka pakësuar të ardhurat që mund të kishim siguruar gjatë sezonit veror për t’i rishpërndarë.

Përplasjet e javëve të fundit nuk kanë asnjë mundësi ta rrëzojnë qeverinë, por kanë dëmtuar ekonominë dhe Shqipërinë. Prej dy javësh vendi po përcjell pamje që largojnë turistët e investitorët, si dhe e shtyjnë paranë të largohet nga Shqipëria, në vend që ta tërheqin.

Çfarë synimi mund ta justifikojë këtë luftë të verbër? Për interesat e kujt mund të vlejë?

Nuk dua të flas sot sërish për ata që janë përpara, brenda apo pas këtij mish-mashi të pistë. Por një gjë është e qartë: kjo përplasje nuk i sjell asgjë të mirë Shqipërisë. Ajo nuk mbron njerëzit që jetojnë dhe duan të jetojnë këtu me punë të ndershme; përkundrazi, i dëmton. Këta janë njerëz që rrisin fëmijët e tyre dhe duan që ata të rriten këtu, në një shtëpi të përbashkët që mund të jetë më e mirë për të gjithë.

Unë jam këtu për këta njerëz dhe qeveria, bashkë me shumicën qeverisëse, do të jetë në detyrë deri në ditën e fundit të mandatit.

Të tjerët do të më kenë përballë. Bisedën mund ta bëjmë kurdo dhe kudo që të duan, ndërsa kur të shkelin ligjin dhe rendin demokratik, do të përballen me forcën e ligjit dhe normave të bashkëjetesës demokratike.

Ka raste kur shteti vonon, por shteti nuk harron kurrë!

Nuk jam bloger apo influencer dhe nuk e kam detyrë të kërkoj pëlqime. Përgjegjësia ime është ta udhëheq Shqipërinë drejt synimit historik: tryezës së Bashkimit Europian. Prandaj vazhdoj dhe do të vazhdojmë; askush nuk do të mund të na ndalë. Kush jemi ne? Ne jemi shumica e shqiptarëve!


Shtuar më 28.10.2026 15:43

Quantcast