Danimarka hap një skemë të re për lejet e punës, por qytetarët e Kosovës nuk përfitojnë

Prej 1 janarit 2027, Danimarka do të zbatojë një mekanizëm të ri për lejet e punës. Skema parashikon prag më të ulët të pagës për pozicionet e përfshira në marrëveshje kolektive, por kjo mundësi nuk do të jetë e vlefshme për kosovarët.

Ndryshimet e shpallura nga qeveria daneze synojnë t’ua lehtësojnë punëtorëve të huaj mundësinë për të punuar e jetuar në vend. E quajtur Skema e Marrëveshjes Kolektive, nisma lejon kompanitë të marrin në punë shtetas të huaj me një pagë minimale më të ulët.

Të lidhura

None found

Sipas gazetës indiane në anglisht The Financial Express, mundësia u rezervohet shtetasve të 16 vendeve, të ndara në tri kategori. Kosova nuk bën pjesë në asnjërën prej tyre.

Kategoritë përfshijnë dhjetë vendet kryesore jashtë Bashkimit Europian, të renditura në bazë të investimeve daneze jashtë vendit dhe investimeve të huaja në Danimarkë; shtetet që negociojnë anëtarësimin në BE, ku Kosova nuk përfshihet; si dhe vendet që kanë arritur marrëveshje dypalëshe mobiliteti me Danimarkën.

Meqë Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, shtetasit e saj nuk do të mund të aplikojnë përmes kësaj skeme.

Ligji u miratua nga parlamenti danez, Folketingu, më 3 shtator 2026. Më 13 tetor 2026, Agjencia Daneze për Rekrutim Ndërkombëtar dhe Integrim (SIRI) bëri të ditur se zbatimi do të fillojë në datën e parashikuar.

Si funksionon Skema e Marrëveshjes Kolektive?

Përmes saj, një shtetas i huaj mund të pajiset me leje qëndrimi dhe pune nëse pozicioni ofron pagë vjetore prej së paku 322,000 korona daneze, sipas nivelit të vitit 2026. Kushti është që vendi i punës të jetë i përfshirë në një marrëveshje kolektive, e cila përcakton pagat dhe kushtet e punës ndërmjet punëdhënësve e sindikatave. Kompanitë duhet të certifikohen paraprakisht dhe, pasi të plotësohet ky hap, punëtori mund të paraqesë kërkesë për leje në SIRI.

Kriteret për punëtorët e huaj

Aplikanti duhet të ketë kontratë ose ofertë pune nga një kompani e certifikuar dhe të përfitojë të paktën 322,000 korona daneze në vit. Pozicioni duhet të mbulohet nga një marrëveshje kolektive e miratuar nga ministri, ndërsa kandidati duhet të jetë shtetas i një vendi të përfshirë në listën qeveritare.

Kërkesa mund të paraqitet vetëm kur papunësia bruto në Danimarkë, e përshtatur sezonalisht dhe e matur si mesatare për tre muajt e fundit, është brenda kufirit të përcaktuar nga ministri.

Edhe punëdhënësi ka detyrime gjatë aplikimit: ai duhet të deklarojë se pozicioni mbulohet nga një marrëveshje kolektive e miratuar dhe se puna është me kohë të plotë në përputhje me të. Kompania duhet gjithashtu të pranojë kontrolle të vazhdueshme, për të verifikuar zbatimin e marrëveshjes.


Shtuar më 28.10.2026 15:47

Quantcast