Autoritetet kroate kanë bllokuar dy ngarkesa me produkte bujqësore nga Shqipëria, pasi kontrollet laboratorike kanë zbuluar nivele të larta aflatoksinash te fiqtë e thatë dhe mbetje pesticidesh mbi kufijtë e lejuar te specat e kuq.
Rastet janë raportuar në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF), duke ngritur shqetësime për sigurinë e produkteve shqiptare që eksportohen në tregun evropian.
Sipas të dhënave të publikuara më 26 tetor, analizat e fiqve të thatë me origjinë nga Shqipëria kanë zbuluar një përqendrim prej 47,5 mikrogramësh aflatoksina totale për kilogram, pothuajse pesë herë mbi kufirin maksimal të lejuar prej 10 mikrogramësh.
Po ashtu, në produkt është konstatuar prania e aflatoksinës B1 në nivelin 36,9 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 6 mikrogramë. Për shkak të rezultateve laboratorike, autoritetet kanë vendosur asgjësimin e ngarkesës me fiq të thatë.
Një tjetër rast problematik lidhet me një ngarkesë me speca të kuq nga Shqipëria, ku analizat kanë zbuluar mbetje të pesticidit chlorfenapyr në nivelin 0,052 miligramë për kilogram.
Vlera e konstatuar është më shumë se pesë herë mbi kufirin maksimal të lejuar prej 0,01 miligramësh për kilogram.
Pavarësisht evidentimit të këtyre rasteve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka dhënë ende një sqarim publik mbi verifikimet e kryera në Shqipëri, kontrollet ndaj subjekteve përgjegjëse apo masat që mund të jenë marrë pas njoftimeve nga autoritetet kroate.














