Protestat në vend, policia: 1 i arrestuar dhe 17 të proceduar penalisht për thirrje dhe nxitje të veprimeve të paligjshme

28 Tetor 2026 | 16:03

Policia e Shtetit ka vënë në pranga një person dhe ka proceduar penalisht 17 të tjerë, ndërsa ka referuar në Prokurori tetë raste për identifikimin e autorëve, në kuadër të hetimeve për thirrje dhe nxitje të veprimeve të kundërligjshme gjatë protestave të zhvilluara në dy javët e fundit.

Sipas njoftimit të Policisë, veprimet hetimore janë kryer nga strukturat e Antiterrorit, në bashkëpunim me Hetimin e Krimit Kibernetik dhe prokuroritë kompetente, pas evidentimit të publikimeve me përmbajtje të dhunshme dhe kërcënuese në rrjetet sociale.

Në pranga ka përfunduar një 33-vjeçar nga Tirana, Elton Xhura i dyshuar për përhapjen e informacioneve të rreme që ngjallin panik. Sipas Policisë, ai dyshohet se i ka dërguar një mesazh kërcënues në Facebook një subjekti privat, duke paralajmëruar vendosjen e bombave në tri godina të ndryshme.

Gjithashtu, u referuan materialet në prokurori për shtetasit:

-A. K., 34 vjeç, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në Instagram, ka bërë thirrje për kryerjen e veprime të dhunshme, gjatë protestave të javëve të fundit.
Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, duke mashtruar qytetarët se i rrezikohej jeta, ka hapur një llogari në “GoFundMe”, për të mbledhur fonde.
Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një dokument (bexh) me të cilin prezantohej si gazetar, për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga Policia. Dokumenti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale;

-E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrja për urrejtje nacionale”, pasi ka postuar video në rrjete sociale, nëpërmjet të cilave ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprime të dhunshme ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave;

-G. P., 37 vjeç, për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”, pasi ka publikuar në mënyrë të përsëritur, të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, me komente fyese, denigruese dhe akuzuese. Këto publikime, të realizuara kryesisht në kontekstin e protestave të javëve të fundit dhe që ekspozojnë përpara protestuesve, identitetin e punonjësve të Policisë të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, krijojnë rrezik për jetën e punonjësve të Policisë, për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe nxitin veprime intimidimi, kërcënimi dhe/ose dhune.

Gjithashtu, në llogarinë që administron 37-vjeçari janë evidentuar postime me paralajmërime me karakter kërcënues ndaj institucioneve shtetërore, si dhe thirrje për identifikimin e shtetasve të tjerë, të cilat kanë rritur shqetësimin për pasojat që mund të sjellë shpërndarja e këtyre informacioneve në rrjete sociale;

-A. G., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Nxitja e urrejtjeve dhe e grindjeve”, pasi ka postuar fotografi dhe shkrime nëpërmjet të cilave ka bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit;

-A. A., 50 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese” dhe “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, pasi në llogarinë e tij në Facebook, ka postuar një shkrim me përmbajtje antikushtetuese;

-O. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”, pasi gjatë një proteste, ka vendosur në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik, një banderolë që përmbante simbol nazist;

-A. L., 39 vjeç, R. R., 28 vjeç, L. Xh., 24 vjeç, E. B., 36 vjeç, O. Rr., 46 vjeç, D. A., 39 vjeçe, E. Q., 22 vjeç, D. K., 26 vjeçe, A. B., 42 vjeç, M. Ç., 18 vjeç dhe A. Ll., 24 vjeçe, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, pasi në llogari të tyre në platforma të ndryshme për komunikim online, nëpërmjet shkrimeve, mesazheve dhe/ose komenteve, kanë bërë thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve të javëve të fundit.

Gjithashtu u referuan materialet në prokurori, për 7 llogari në platforma të ndryshme për komunikim online, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, pasi në to, janë publikuar shkrime, mesazhe dhe/ose komente me thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit;

-u referuan materialet në Prokurori, për 1 llogari në rrjetin social “Instagram”, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”, pasi në të, janë postuar thirrje për kryerje të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve të javëve të fundit.

Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të administratorëve të këtyre llogarive dhe shtetasve të tjerë të lidhur me to.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministrja e Shëndetësisë: Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen në Romë

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka ndarë lajmin e mirë për gjendjen shëndetësore të Erjon Vishkullit, i cili ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në...
15:48 | 28/10/2026

Taksat, ushqimet, karburantet, Kryeministri prezanton ndryshimet kryesore të Paketës Fiskale 2027

Kryeministri Edhi Rama këtë të mërkurë ka mbajtur një konferencë për mediat, ku është ndalur gjerësisht te situata e fundit e protestave, duke i cilësuar...
14:54 | 28/10/2026

Balla pas takimit me ambasadoren Sofia Moreira de Sousa: Bisedë e frytshme mbi agjendën e anëtarësimit në BE

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka takuar këtë të mërkurë drejtuesen e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadoren Sofia...
14:37 | 28/10/2026