Monday / November 2 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Të Tjerat nga Bota

Banka Botërore: Çmimet e lëndëve të para do të rriten me 23% në 2026, shkak lufta në Lindjen e Mesme

Share Share Icon

Çmimet globale të lëndëve të para pritet të rriten me 23% në vitin 2026, njoftoi Banka Botërore, duke përmendur shtrenjtimin e energjisë, ndërprerjet e transportit detar gjatë luftës në Lindjen e Mesme, problemet me transportin e drithërave në Detin e Zi dhe kërkesën e lartë për aktive të sigurta, si ari.

Çmimet e naftës, gazit natyror, ushqimeve dhe metaleve janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, theksoi Banka Botërore në raportin Commodity Markets Outlook. Situata mund të përkeqësohet nëse konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet dhe dëmtimet e infrastrukturës ruse të naftës vazhdojnë.

Banka Botërore parashikon që çmimet e lëndëve të para të ulen me 7% në vitin 2027. Megjithatë, goditjet e vazhdueshme, përfshirë mundësinë e fenomenit më të rëndë El Niño që nga viti 1950, mund t’i mbajnë çmimet e ushqimeve të larta, duke shtuar rrezikun e inflacionit dhe shtrëngimit të politikës monetare.

Ekonomia globale është më e cenueshme ndaj goditjeve në ofertë. Rezervat botërore të naftës janë pakësuar gjatë luftës në Lindjen e Mesme, ndërsa oferta pritet të bjerë me 5.2% në vitin 2026, rënia më e madhe në katër dekada, duke përjashtuar recesionin e vitit 2020.

“Tregjet e lëndëve të para po goditen njëkohësisht nga disa tronditje të mëdha”, deklaroi Ayhan Kose nga Banka Botërore. Sipas tij, kostot më të larta të energjisë dhe ndërprerjet tregtare po rrisin çmimet, duke kërcënuar inflacionin, sigurinë ushqimore dhe rritjen ekonomike.

Raporti gjashtëmujor u publikua dy ditë përpara takimit të ministrave të Jashtëm të 20 ekonomive më të mëdha në Atlanta, ku në fokus do të jenë luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Kose tha se Banka Botërore është e përqendruar te mbrojtja e popullsisë më të varfër dhe mbështetja e vendeve me të ardhura të ulëta, që përballen me barrë të rëndë borxhi.

Banka Botërore ka dhënë 8.7 miliardë dollarë kredi me kosto të ulët dhe ndihma të tjera për 25 vende të prekura nga lufta në Lindjen e Mesme. Dhjetë vende kanë përshtatur programet ekzistuese për shpenzimet e krizës, ndërsa 19 kanë përfituar burime të reja financimi, disa prej tyre përmes të dyja formave.

Sipas raportit, çmimet globale të energjisë janë rritur me 32% në vitin 2026, duke arritur nivelin më të lartë që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.

Me rënien e prodhimit, nafta Brent pritet të kushtojë mesatarisht 92 dollarë për fuçi gjatë vitit. Çmimet do të ishin edhe më të larta nëse kërkesa nuk do të parashikohej të binte me 2.5%, rënia e tretë më e madhe pas pandemisë së vitit 2020 dhe krizës së naftës të vitit 1980.

Çmimet ndërkombëtare të produkteve ushqimore pritet të rriten me mbi 10% në vitin 2026, për shkak të ndërprerjeve të transportit të drithërave në Detin e Zi nga lufta Rusi-Ukrainë. Për vitin 2027 parashikohet një tjetër rritje mbi 7%, duke e çuar shtrenjtimin kumulativ në afro 18%.

Në një skenar negativ, që kombinon një El Niño rekord, ndërprerje të tjera të transportit të drithërave, përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme dhe dëmtimet e infrastrukturës ruse të naftës, çmimet e ushqimeve mund të jenë 12% mbi parashikimet aktuale.

Kjo mund të shkaktojë një krizë ushqimore të ngjashme me atë të fillimit të viteve 2010, kur mbi 40 milionë njerëz të tjerë ranë në varfëri ekstreme, paralajmëron Banka Botërore.

Çmimet e plehrave kimike pritet të rriten me 14% në vitin 2026, për shkak të shtrenjtimit të uresë, përpara se të rikthehen në nivelet e vitit 2025 gjatë vitit 2027.

Çmimet e metaleve parashikohen të rriten me 25% dhe të arrijnë rekorde të reja në vitin 2026. Alumini, bakri dhe kallaji do të shtrenjtohen nga ndërprerjet e furnizimit dhe kërkesa për investime në energjinë e rinovueshme, automjetet elektrike dhe qendrat e të dhënave.

Metalet e çmuara pritet të shtrenjtohen me 40% në vitin 2026, të nxitura nga kërkesa për aktive të sigurta përballë pasigurisë gjeopolitike dhe ekonomike, ndërsa në vitin 2027 parashikohet njëfarë zbutjeje e çmimeve. / Reuters, Banka Botërore

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Rritja e industrisë në Eurozonë ngadalësohet në tetor, por mbetet e qëndrueshme

Aktiviteti në industrinë përpunuese të Eurozonës vijoi të rritet me ritme të qëndrueshme në tetor, megjithëse rritja u ngadalësua për shkak të dobë...

5 hours më parë 4 Min Lexim
Azi / Bota /

Kina injekton 81 miliardë dollarë në banka, ndryshon mekanizmin e politikës monetare

Banka Qendrore e Kinës injektoi të hënën 541 miliardë juanë (81.3 miliardë dollarë) në sistemin bankar, ndërsa ndryshoi mekanizmin kryesor të zbati...

5 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!