Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar mbështetjen e institucioneve europiane për krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën në krye dhe për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri.
Kërkesa u bë gjatë një takimi me eurodeputetë, anëtarë të Komisionit për Transportin dhe Turizmin (TRAN) të Parlamentit Europian, ku Zhupa prezantoi qëndrimin e opozitës për situatën politike në vend dhe protestat e studentëve.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Zhupa tha se u kishte përcjellë përfaqësuesve europianë shqetësimet lidhur me protestat dhe dhunën e pretenduar ndaj të rinjve. Ajo akuzoi qeverinë se ka shpërfillur protestën dhe kritikoi reagimin e policisë ndaj demonstruesve.
“Dhuna barbare ndaj studentëve dhe situata politike në Shqipëri duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e institucioneve europiane!”, shkroi Zhupa.
Deputetja pretendoi se protestat paqësore nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga qeveria dhe përmendi raste të plagosjes së protestuesve, përfshirë fraktura dhe dëmtime të syve. Sipas saj, pamjet dhe dëshmitë për këto incidente përbëjnë një shqetësim për demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Pas 136 ditësh protestë paqësore, të cilën qeveria e injoroi totalisht, studentët iu drejtuan në mënyrë simbolike me gur institucioneve, por përgjigjja që morën nga shteti ishte dhuna barbare policore”, deklaroi Zhupa.
Ajo theksoi se Partia Demokratike mbështet kërkesat e studentëve dhe e cilësoi protestën si një betejë për dinjitetin, drejtësinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Në vijim, Zhupa kërkoi një zgjidhje politike përmes krijimit të një qeverie tranzitore, e cila, sipas saj, do të garantonte kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Zgjidhja politike që i hap rrugë vendit është krijimi i një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, që garanton standardet demokratike dhe krijon kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh deputetja.
Në përfundim, Zhupa u bëri thirrje institucioneve europiane të reagojnë ndaj situatës në Shqipëri dhe të mbështesin përpjekjet për forcimin e standardeve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
“Europa nuk mund të heshtë përballë dhunës ndaj të rinjve që kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre!”, përfundoi Zhupa.