Denoncoi lidhjet e shefit të policisë me krimin e organizuar, si u vra para të birit ish-prokurori në Guatemalë

28 Tetor 2026 | 16:17

Shefi i policisë së Guatemalës, David Custodio, dhe zëvendësi i tij, Esvin Kitche, janë shkarkuar nga detyra pas vrasjes së ish-prokurorit Juan Francisco Solorzano Fopa, i cili kishte denoncuar lidhjet mes zyrtarëve, politikanëve, biznesmenëve dhe grupeve kriminale në vend.

Lajmi u bë i ditur të martën nga ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, i cili tha se ndryshimet në drejtimin e policisë janë pjesë e një procesi hetimor të nisur pas vrasjes së ish-prokurorit.

Solorzano Fopa, 43 vjeç, u vra më 17 tetor në mes të ditës, përpara të birit, në një qendër sportive në kryeqytet.

Ish-prokurori kishte denoncuar publikisht lidhjet e dyshuara mes autoriteteve, politikanëve, biznesmenëve dhe bandës kriminale Barrio 18, e konsideruar ndër më të fuqishmet në Guatemalë. Ai kishte akuzuar drejtpërdrejt edhe drejtorin e atëhershëm të policisë, David Custodio, për lidhje me krimin e organizuar.

“Ky është një person që bashkëpunon me krimin e organizuar, do ta them hapur”, kishte deklaruar Solorzano gjatë një podkasti.

Ai e kishte akuzuar gjithashtu Custodion se kishte lehtësuar dhe nxitur arratisjen e 20 drejtuesve të bandave nga një burg i sigurisë së lartë një vit më parë.

Ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, deklaroi se shkarkimet janë pjesë e një procesi rishikimi dhe ristrukturimi institucional, me synimin për të forcuar policinë.

“Ky vendim është pjesë e procesit të rishikimit dhe ristrukturimit institucional që po kryejmë me qëllim forcimin e policisë”, tha Villeda gjatë një konference për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Bernardo Arevalo.

Vrasja e ish-prokurorit ka tronditur Guatemalën, në një kohë kur vendi po përballet me rritjen e krimit dhe tensione të larta politike, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2027 po afrohen.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Shumë njerëz nuk mund të dilnin”, dëshmitë tronditëse të të mbijetuarve nga aksidenti i trenave në Spanjë

Të paktën 68 persona kanë humbur jetën nga përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë pranë Toledos, në Spanjë, më 28 tetor. Sipas autoriteteve...
16:06 | 28/10/2026

Koreja e Jugut gjobit Google dhe Apple me 42.7 milionë euro

Rregullatori i medias dhe telekomunikacionit në Korenë e Jugut ka urdhëruar kompanitë amerikane Google dhe Apple të paguajnë gjithsej 63.7 miliardë won, rreth 42.7 milionë...
15:41 | 28/10/2026

Kandidati presidencial brazilian, Bolsonaro largohet nga Brazili dhe mbërrin në Miami pas humbjes në zgjedhje

Kandidati presidencial brazilian, Flávio Bolsonaro, së bashku me familjen e tij, ka mbërritur në Miami të mërkurën, pasi u largua nga Brazili pas humbjes në...
15:32 | 28/10/2026