Berisha: Teza se qeveria dhe opozita janë njësoj synon të zbehë përgjegjësinë e pushtetit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se krahasimi mes qeverisë dhe opozitës dëmton demokracinë, pasi sipas tij synon të relativizojë përgjegjësinë e pushtetit për korrupsionin dhe të dekurajojë qytetarët nga pjesëmarrja në zgjedhje.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se teza se “dy partitë janë njëlloj” është një mesazh që, sipas tij, synon të godasë besimin e qytetarëve te vota dhe ndryshimi politik.
“Teza më antishqiptare, më antidemokratike ishte teza se dy partitë janë njëlloj. Nuk ka mashtrim më të madh sesa të krahasosh të pakrahasueshmet”, deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës argumentoi se qeveria administron fondet publike dhe mban përgjegjësi për mënyrën se si ato përdoren, ndërsa opozita ka detyrë të kontrollojë, denoncojë dhe të ofrojë alternativa politike.
“A mund të krahasohet opozita me ata që administrojnë miliarda euro të taksapaguesve? Me këtë krahasim duan të zbehin përgjegjësinë, të mbulojnë skandalet dhe abuzimet me pushtetin”, tha ai.
Berisha shtoi se mesazhe të tilla synojnë të krijojnë bindjen se vota nuk sjell ndryshim dhe se pjesëmarrja në proceset demokratike është e pavlerë.
“Qëllimi është të vritet shpresa dhe të krijohet ideja se vota nuk ka vlerë. Kjo i shërben vetëm atyre që duan të shmangin përgjegjësinë për qeverisjen”, u shpreh kreu i PD-së.
Në fjalën e tij, Berisha konfirmoi gjithashtu mbështetjen për protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, duke falënderuar protestuesit, strukturat e partisë dhe ekipin ligjor të PD-së për angazhimin në mbështetje të tyre.
Ai theksoi se protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos përvetësohet nga asnjë forcë politike.
“Ne kemi lindur në protestë dhe do të mbetemi parti e protestës. Por protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos drejtohet nga asnjë parti politike”, deklaroi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike përsëriti gjithashtu thirrjen për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, duke e cilësuar atë si rrugën kryesore për të mbështetur kauzën e studentëve dhe për të sjellë ndryshim politik në vend.
“Ka vetëm një rrugë, bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë. Ky është kushti për të forcuar opozitën dhe për t’u përballur me qeverinë”, përfundoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




