Rrjedhje masive të dhënash në Federatën Zvicerane të Hokejit, publikohen të dhënat e mbi 100 mijë personave

Të dhënat personale të lojtarëve profesionistë, fëmijëve, trajnerëve dhe gjyqtarëve janë vjedhur dhe po ofrohen për shitje në një forum online për 250 franga. Federata Zvicerane e Hokejit në Akull ka konfirmuar rrjedhjen.
Një rrjedhje masive e të dhënave personale ka vënë në një pozitë të vështirë Federatën Zvicerane të Hokejit në Akull (SIHF), pasi hakerat kanë vjedhur informacione që u përkasin mijëra anëtarëve të saj.
Sipas gazetës zvicerane NZZ, e cila ka arritur të shohë dhe të verifikojë një pjesë të skedarëve, të dhënat tashmë po ofrohen për shitje në një forum online, me çmimin prej 250 frangash, raporton 24 heures.
Informacionet e publikuara përfshijnë të dhëna personale të lojtarëve profesionistë të NHL-së, por edhe të fëmijëve. Mostra e shqyrtuar nga gazeta përmbante adresa private, fotografi, data lindjeje dhe informacione kontakti për rastet emergjente.
Lojtari më i ri i përfshirë në këtë rrjedhje është vetëm 9 vjeç. Ndërkohë, janë zbuluar edhe të dhëna të trajnerëve dhe gjyqtarëve, përfshirë numra IBAN dhe deklarata kompensimi.
SIHF konfirmon rrjedhjen e të dhënave
Sipas pretendimeve të hakerave, të dhënat përfshijnë më shumë se 87 mijë individë, rreth 9 mijë trajnerë dhe gati 5 mijë gjyqtarë. Skedari i vjedhur vlerësohet të ketë një madhësi prej 6.9 gigabajtësh, transmeton Telegrafi.
E kontaktuar nga mediat, Federata Zvicerane e Hokejit në Akull konfirmoi rrjedhjen, duke deklaruar se të dhënat e publikuara duken autentike.
Zëdhënësi i SIHF-së, Finn Sulzer, bëri të ditur se informacionet mund të jenë marrë përmes një llogarie përdoruesi të komprometuar dhe jo domosdoshmërisht përmes një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj sistemeve kompjuterike të federatës.
Federata njoftoi se ka ndërmarrë masa sigurie dhe ka informuar autoritetet përkatëse. Gjithashtu, pritet të ngrihet një padi penale, ndërsa përdoruesit e sistemit të prekur nga incidenti do të njoftohen./Telegrafi/








































