Mick Schumacher ka ndarë një rrëfim prekës për marrëdhënien me të atin, legjendën e Formula 1, Michael Schumacher, duke pranuar se do të hiqte dorë nga gjithçka vetëm për të pasur mundësinë të bisedonte sërish me të.
Në dokumentarin e Netflix-it, Schumacher, Mick ka folur për mungesën e bisedave me të atin, veçanërisht tani që edhe ai ka përjetuar nga afër botën e garave profesioniste dhe e kupton më mirë pasionin që i bashkon.
“Unë dhe babai kuptohemi në një mënyrë të veçantë, sepse flasim të njëjtën gjuhë – gjuhën e automobilizmit”, ka treguar Mick, duke shpjeguar se sot do të kishin shumë më tepër për të ndarë me njëri-tjetrin.
“Besoj se unë dhe babai do ta kuptonim njëri-tjetrin ndryshe tani, pikërisht sepse flasim të njëjtën gjuhë, gjuhën e automobilizmit. Do të kishim aq shumë gjëra për të diskutuar. Për këtë mendoj më së shumti. Do të hiqja dorë nga gjithçka vetëm që ta kisha këtë mundësi”, është shprehur ai.
Michael Schumacher, shtatë herë kampion bote në Formula 1, pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Méribel të Francës, në dhjetor të vitit 2013. Mick ishte vetëm 14 vjeç kur ndodhi ngjarja që ndryshoi jetën e familjes. Që prej asaj kohe, familja Schumacher ka ruajtur një privatësi të rreptë lidhur me gjendjen shëndetësore të pilotit gjerman.
Mick ka folur gjithashtu për dhimbjen e momenteve të zakonshme familjare që nuk mundi t’i përjetonte më me të atin pas aksidentit.
“Pas aksidentit, ato momente nuk ekzistojnë më, ato çaste që shumë njerëz të tjerë i ndajnë me prindërit e tyre. Mendoj se kjo është disi e padrejtë”, ka pranuar ai.
Megjithatë, kujtimet nga fëmijëria mbeten një burim gëzimi për Mickun. Ai kujton kohën kur kalonte momente të bukura me të atin, nënën Corinna dhe motrën Gina-Maria.
“Kur mendoj për të kaluarën, më kujtohen kryesisht ne të katërt duke u argëtuar së bashku. Më kujtohet kur ngisnim kartingë nëpër fshat, kur kalëronim poni dhe kalonim kohë së bashku. Këto janë kujtime që më bëjnë të lumtur”, ka rrëfyer ai.
Ashtu si i ati, Mick zgjodhi të ndërtonte karrierën e tij në automobilizëm. Ai fitoi titullin evropian në Formula 3 në vitin 2018 dhe kampionatin e Formula 2 në vitin 2020, përpara se të garonte në Formula 1 me ekipin Haas.
Megjithëse krahasohet shpesh me të atin, Mick ka theksuar se dëshiron të krijojë identitetin dhe trashëgiminë e tij sportive, pa mohuar admirimin për arritjet e Michael Schumacher.
“Unë mund të ndërtoj trashëgiminë time, duke admiruar njëkohësisht gjithçka që ka arritur babai im”, ka deklaruar ai.
Bashkëshortja e Michael Schumacher, Corinna, ka shpjeguar më herët se familja vazhdon të kujdeset për të dhe të mbrojë privatësinë e tij, ashtu siç ai kishte dëshiruar edhe përpara aksidentit.

