Një incident i rëndë dyshohet se ka përfshirë Mounir Nasraoui, babanë e yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, pak para nisjes drejt Londrës për ceremoninë e ndarjes së çmimit “Topi i Artë”, ku sulmuesi spanjoll u rendit në vendin e tretë.
Sipas gazetës spanjolle “El Español”, ngjarja ndodhi në një kafene të aeroportit Josep Tarradellas Barcelona-El Prat. Nasraoui ndodhej në ambientet e lokalit kur një punonjëse i kërkoi të largonte një xhaketë të vendosur në një hapësirë ku nuk lejohej lënia e sendeve personale.
Kërkesa e punonjëses dyshohet se shkaktoi një përshkallëzim të menjëhershëm të situatës. Sipas raportimit, babai i futbollistit reagoi me fyerje të rënda dhe më pas e pështyu punonjësen në fytyrë.
Situata u tensionua edhe më tej, duke detyruar ndërhyrjen e pjesëtarëve të Gardës Civile spanjolle dhe personave të pranishëm. Sipas të njëjtit burim, ndërhyrja ishte e nevojshme për të penguar Nasraoui-n të hidhte një karrige drejt personave që po përpiqeshin ta qetësonin, duke shmangur kështu një përleshje të mundshme.
Incidenti ndodhi përpara se ai të hipte në avionin drejt Anglisë, ku do të merrte pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë” për të mbështetur të birin.
Ky nuk është rasti i parë kur emri i Mounir Nasraoui-t përfshihet në lajme jashtë fushës së futbollit. Në gusht të vitit 2024, ai u plagos me thikë në Mataró të Spanjës, ndërsa në maj të vitit 2023 ishte dënuar për një sulm ndaj një strukture elektorale.
© SYRI.net
Kinezët nuk ia falin deklaratat Mbappé-së, tifozët djegin fanellat e yllit francez
Interi dhe Milani zbulojnë projektin e stadiumit të ri, 708 milionë euro vetëm për impiantin
Zi për Lionel Scalonin, ndërron jetë nëna e trajnerit të ArgjentinësBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: