Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) kundërshton projektvendimin e Qeverisë për rritjen e TVSH-së në shërbimet e akomodimit nga 6% në 10%, duke paralajmëruar se masa do të dëmtojë konkurrueshmërinë rajonale të sektorit. Në një deklaratë publike, ATA kërkon pezullimin e projektvendimit, nisjen e konsultimeve gjithëpërfshirëse me grupet e interesit dhe orientimin e politikave drejt luftës kundër informalitetit në tregun e akomodimit.
Sipas shoqatës, propozimi është hartuar pa konsultim paraprak dhe pa një analizë të plotë të ndikimit ekonomik. ATA nënvizon se rritja e taksës vjen në një moment kur bizneset formale të turizmit përballen me vështirësi të mëdha, si pasojat e rënies së euros, dyfishimit të pagave për të ruajtur fuqinë punëtore dhe rritjes së çmimeve të lëndëve të para. Shoqata argumenton se norma e reduktuar e TVSH-së prej 6% ka kontribuar në zhvillimin e sektorit, duke sjellë rritjen e numrit të vizitorëve nga 6 milionë në rreth 12.6 milionë dhe duke rritur peshën e turizmit në ekonomi, përfshirë kontributin e sektorit në 1/4 të PPB-së dhe 44% të eksporteve.
ATA thekson se zgjidhja nuk është rritja e taksave për bizneset formale, por formalizimi i tregut të pakontrolluar. Duke iu referuar Strategjisë së Turizmit 2026–2030, shoqata raporton se 78% e kapaciteteve akomoduese në Shqipëri përbëhen nga apartamente me qira ditore që operojnë kryesisht në informalitet, ndërsa vetëm 22% janë hotele. Shqipëria sipas ATA-s ka vetëm 1% hotele me 4–5 yje, ndërsa Mali i Zi dhe Kroacia kanë 7–10%.
Për të ilustruar diferencën në performancë, ATA sjell të dhëna krahasuese: INSTAT raporton për 12.4 milionë turistë dhe rreth 10 milionë netë fjetje në Shqipëri; Mali i Zi raporton 2.7 milionë turistë dhe 15.6 milionë netë fjetje; Kroacia mbi 21 milionë turistë dhe mbi 110 milionë netë fjetje. Sipas shoqatës, këto ndryshime tregojnë se rritja e të ardhurave buxhetore mund arrihet përmes formalizimit dhe jo përmes ngarkimit me taksa të bizneseve që paguajnë rregullisht.
Në përfundim, ATA kërkon pezullimin e projektvendimit, nisjen e konsultimeve me përfaqësuesit e sektorit dhe përqendrimin e kapaciteteve shtetërore në luftën kundër informalitetit për të krijuar një treg me konkurrencë të ndershme.
