Kroacia ka bllokuar dy ngarkesa me produkte bujqësore nga Shqipëria, pasi kontrollet laboratorike kanë zbuluar nivele të tejkaluara të aflatoksinave në fiqtë e thatë dhe të mbetjeve të pesticideve në specat e kuq.
Sipas të dhënave të publikuara më 26 tetor në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF), një ngarkesë me fiq të thatë me origjinë shqiptare ka rezultuar me përqendrim të aflatoksinave totale prej 47,5 mikrogramësh për kilogram, kundrejt kufirit maksimal të lejuar prej 10 mikrogramësh për kilogram.
Probleme janë konstatuar edhe me aflatoksinën B1, një toksinë e prodhuar nga disa lloje myku, e klasifikuar si kancerogjene për njerëzit dhe e lidhur veçanërisht me rrezikun e kancerit të mëlçisë. Analizat kanë zbuluar 36,9 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i përcaktuar në raportim është 6 mikrogramë për kilogram.
Për shkak të tejkalimeve të konstatuara, autoritetet kroate kanë vendosur asgjësimin e ngarkesës me fiq të thatë.
Një tjetër alarm është ngritur për një ngarkesë me speca të kuq nga Shqipëria. Gjatë kontrolleve kufitare, analizat kanë evidentuar mbetje të pesticidit chlorfenapyr në një përqendrim prej 0,052 miligramësh për kilogram, mbi kufirin maksimal të lejuar prej 0,01 miligramësh për kilogram.
Chlorfenapyr përdoret për luftimin e insekteve dhe dëmtuesve të bimëve. Sipas të dhënave të raportuara, niveli i zbuluar në speca ishte 5,2 herë më i lartë se kufiri i lejuar.
Të dyja rastet janë evidentuar gjatë kontrolleve kufitare në Kroaci dhe janë regjistruar në sistemin evropian RASFF.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer verifikime në Shqipëri për këto ngarkesa dhe nëse janë marrë masa ndaj subjekteve përgjegjëse. Gjithashtu, nuk ka informacion të qartë për masat e marra ndaj ngarkesës me speca të bllokuar.
Rastet rikthejnë vëmendjen te kontrollet e sigurisë ushqimore dhe mbikëqyrja e produkteve bujqësore që tregtohen në vend. Mbetet për t’u sqaruar nëse janë kryer kontrolle përkatëse edhe në tregun vendas dhe çfarë masash janë marrë për të garantuar që produktet që konsumojnë qytetarët përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.

