Gjendet në një pus, trupi i pajetë i Denaldo Maxhallakut, shqiptari u zhduk më 7 tetor në Itali

Gjendet në një pus, trupi i pajetë i Denaldo Maxhallakut, shqiptari u zhduk më 7 tetor në Itali

17:39, 28/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Trupi i pajetë i Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar që ishte zhdukur prej 7 tetorit, është gjetur në një pus në zonën rurale të Longianos, në Itali.

Pranë vendit ku u zbulua trupi, karabinierët kanë gjetur disa gëzhoja, çka ka orientuar hetimet drejt dyshimit për vrasje.

Maxhallaku, baba i një vajze vetëm një vjeçe, ishte shpallur i zhdukur pasi kishte dalë nga shtëpia mbrëmjen e 7 tetorit për t’u takuar me një person të njohur në zonën pranë Savignano sul Rubicone. Që nga ai moment, familjarët dhe miqtë nuk kishin pasur më asnjë kontakt me të.

Shqetësimet për fatin e 31-vjeçarit u shtuan që ditën pas zhdukjes, kur makina e tij, një Fiat Punto e zezë, u gjet e djegur plotësisht pranë lumit Rubicone. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, djegia e automjetit mund të ketë qenë një përpjekje për të zhdukur gjurmë të mundshme që mund të ndihmonin hetuesit.

Sipas raportimeve të mediave italiane, gjetja e gëzhojave pranë pusit ku ndodhej trupi ka përbërë një element të rëndësishëm për hetimin, i cili tashmë po zhvillohet nën dyshimin për vrasje. Nga këqyrjet e para mjeko-ligjore, dyshohet se vdekja ka ndodhur mbrëmjen kur Maxhallaku u zhduk.

Aktualisht, hetuesit po rindërtojnë lëvizjet e fundit të 31-vjeçarit dhe po verifikojnë rrethin e kontakteve dhe njohjeve të tij. Një nga pistat kryesore është identifikimi i personit me të cilin Maxhallaku ishte planifikuar të takohej mbrëmjen e 7 tetorit.

Deri më tani, autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e vrasjes së dyshuar dhe për të identifikuar personin ose personat përgjegjës për krimin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco