Bilanci i aksidentit të ndodhur sot në Spanjë është të paktën 86 të vdekur dhe 77 persona të shtruar në spital. Pesëmbëdhjetë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.
Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia, njoftoi përmes një postimi në rrjetin X se autoritetet shëndetësore kanë ndërmarrë masa emergjente për t’u përballur me situatën.
Të lidhura
None found
Sipas saj, spitalet kanë vënë në zbatim planet e emergjencës, kanë shtuar kapacitetet në urgjenca dhe salla operacioni, si dhe kanë riorganizuar shërbimet shëndetësore për të ndihmuar të plagosurit. Autoritetet po e ndjekin situatën dhe po u ofrojnë mbështetje personave të lënduar.
Pasagjerët e trenit kanë treguar për momentet e frikshme, kaosin dhe përplasjet mes udhëtarëve, ndërsa menjëherë pas aksidentit mungonte komunikimi. Në një dëshmi për CNN, ata thanë se nga goditja njerëzit u hodhën nga vendet dhe ranë mbi njëri-tjetrin brenda vagonëve.
Të paktën një autobus me pasagjerë që nuk kishin pësuar lëndime të rënda është larguar nga vendngjarja. Disa prej tyre kishin prerje të lehta në fytyrë dhe rreth syve, si dhe gjakderdhje nga hunda. Gjurmë gjaku kishte edhe në duart e krahët e disa udhëtarëve.
“Komunikimi ishte i tmerrshëm. Për 10 minuta pas aksidentit askush nuk mund të dilte nga trenat. Nuk e dinim çfarë po ndodhte”, tha për CNN një pasagjer i quajtur Rey, i cili nuk pranoi të tregonte mbiemrin.
Rey po udhëtonte me familjen drejt Seviljes për pushime. Ai tha se të gjithë janë mirë, por presin me padurim të largohen nga zona. Pasagjeri tjetër, 25-vjeçari Yoander, tregoi se përplasja e zuri në gjumë.
“Po flija dhe, kur u zgjova, isha përplasur tashmë me sediljet përpara meje”, tha ai për CNN. Yoander kishte goditur fytyrën dhe këmbën, por, megjithëse kishte dhimbje, vuri në dukje se të tjerë kishin nevojë për ndihmë më urgjente.
Eduarda, e cila udhëtonte me dy macet e saj, i tha emisionit radiofonik spanjoll “Hoy por Hoy” se goditja e shtyu përpara dhe theu tavolinën para sediljes së saj. Ajo tha se disa pasagjerë pranë saj kishin prerje dhe mavijosje.
Pasi doli nga treni, Eduarda dëgjoi britma dhe pa një vagon të përfshirë nga flakët. Sipas saj, në vendngjarje kishte edhe njerëz që kishin humbur jetën dhe ndodheshin poshtë trenit.
Miguel Angel Perez, një tjetër pasagjer i trenit të shpejtësisë së lartë, kujtoi zhurmën e fortë të përplasjes. Ai i tha programit televiziv spanjoll “La Hora de La 1” se vagoni u përmbys pjesërisht. Disa udhëtarë u mavijosën nga tavolinat e hapura pranë sediljeve, ndërsa në çastin e aksidentit kishte pak njerëz në këmbë.
“Ndjemë trenin të lëkundej, të dilte nga shinat dhe pastaj të anohej. Ishin disa sekonda të tmerrshme”, rrëfeu Perez.
Edhe gazetari spanjoll Roberto Gomez përshkroi përvojën e tij në tren. Ai i tha radios spanjolle “Onda Cero” se ishte në gjumë kur treni ndaloi dhe pasagjerët u informuan se kishte trafik të rënduar në shina. Treni rifilloi lëvizjen, por pak më vonë ndodhi përplasja e fuqishme.
“Goditja ishte e tmerrshme”, tha Gomez, duke folur për dëmet në vagon.
“Mund ta imagjinoni, vagoni ishte shkatërruar plotësisht. Valixhet ishin shpërndarë gjithandej në vagonin e dëmtuar”, tregoi gazetari.
Gomez pësoi lëndime të lehta, ndërsa një pasagjer tjetër ra sipër tij dhe mori një plagë të thellë në kokë. Ai tha se bashkë me udhëtarë të tjerë u mundua të ndihmonte ata që kishin goditje të forta në kraharor dhe brinjë.
Sipas gazetarit, gjithçka ishte jashtëzakonisht kaotike dhe tronditëse. Pas disa minutash, ai dhe disa pasagjerë të tjerë mundën të dilnin nga treni përmes një dritareje.
Rrëfimi i Gomezit i bashkohet dëshmive të udhëtarëve të tjerë, të cilët kanë treguar për panikun dhe vështirësitë për t’u larguar nga vagonët pas aksidentit. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vazhdojnë ndërhyrjen në vendngjarje.






