Rama: Vitin tjetër nafta do të ulet me 32 lekë për litër, taksa e qarkullimit do të kalojë te makina
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës, një ndryshim që, sipas tij, do të sjellë uljen me 32 lekë për litër të çmimit në pikat e karburanteve. Masa është paralajmëruar në kuadër të Paketës Fiskale 2027.
Taksa do të ndryshojë mënyrën e mbledhjes, duke kaluar nga karburanti te automjeti. Sipas Ramës, pagesa do të mblidhet përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës”, deklaroi Rama.
Kjo do të thotë se drejtuesit e automjeteve do ta paguajnë naftën pa taksën e qarkullimit të përfshirë në çmim, ndërsa detyrimi do të lidhet me makinën. Ndikimi përfundimtar në shpenzimet e tyre do të varet nga vlera dhe mënyra e përllogaritjes së taksës që do të vendoset mbi automjetet.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu një taksë të re qarkullimi për makinat e huaja që hyjnë në Shqipëri.
Në deklaratën e tij, Rama nuk përcaktoi sa do të paguajnë pronarët e automjeteve, tarifën për makinat e huaja apo mënyrën e përllogaritjes së këtyre detyrimeve. Këto hollësi mbeten për t’u sqaruar në vijim. Saranda Web