Deputeti i Partisë Socialiste, Admir Kadeli, ka reaguar pas takimit të Dorian Burakut me kryeministrin Edi Rama, duke shprehur mbështetjen për të dhe duke dënuar komentet fyese që, sipas tij, janë drejtuar ndaj Burakut në rrjetet sociale. Në një reagim publik, Kadeli tregon se Buraku e ka vizituar në zyrë dhe i ka rrëfyer shqetësimin për komentet që kanë pasuar takimin me kryeministrin. Sipas deputetit, përveç komenteve që lidhen me gjendjen e tij fizike, Buraku është lënduar veçanërisht nga akuzat se ishte i blerë. Kadeli bën të ditur se gjatë takimit, Buraku i ka kërkuar të flasë nga foltorja e Parlamentit për ndershmërinë dhe dinjitetin e tij, duke theksuar se bindjet dhe fjala e tij nuk kanë çmim.
Postimi i plotë
Sot më erdhi në zyrë Dorjan Buraku. Dori, siç e thërrasim, erdhi me fisnikëri, me sinqeritet dhe me një brengë që e rëndonte.
Më tregoi se pas takimit me Kryeministrin Edi Rama , mbi të ishte derdhur një lumë komentesh e fyerjesh. Kishin prekur gjendjen e tij fizike, por ajo që e kishte lënduar më shumë ishte përpjekja për t’i përbaltur dinjitetin. E kishin quajtur të blerë, sikur bindjet dhe fjala e tij të kishin një çmim.
Mes gjithë atij hidhërimi, më kërkoi vetëm një nder: të thosha nga foltorja e Parlamentit se Dorian Buraku është njeri i ndershëm. Se as blihet, as shitet.
Më foli për protestën ku kishte marrë pjesë, për shqetësimet që e kishin çuar atje dhe për gatishmërinë për të dalë përsëri, nëse gjërat nuk rregullohen. Po aq lirshëm kishte zgjedhur të takonte Kryeministrin. Sepse Dori mendon vetë, vendos vetë dhe ka guximin të thotë kur diçka nuk shkon mirë.
Kjo liri i përket atij, njësoj si çdo qytetari tjetër. Askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë apo ta poshtërojë për zgjedhjet që bën. Disa prej atyre që e fyen do të bënin mirë ta dëgjonin. Do të mësonin prej tij çfarë do të thotë të kesh kurajën e mendimit tënd dhe të mos e nxjerrësh në shitje dinjitetin.
Dori, të dhashë fjalën se do të flas nga foltorja e Parlamentit për ndershmërinë, dinjitetin dhe burrërinë tënde. Dhe do ta mbaj. Zëri yt meriton të dëgjohet. Dhe respektin e meriton pa pasur nevojë t’ia kërkosh askujt.
