Albert Sylës, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj nga Gjykata Themelore në Pejë.
Gjykata njoftoi se Departamenti për Krime të Rënda ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për paraburgimin e të pandehurit A.S., mbi dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafit 1, pikave 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të lidhura
None found
Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, e miratoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi që A.S. të mbahet në paraburgim për një (1) muaj. Masa është caktuar në bazë të nenit 184, paragrafit 1, nënparagrafëve 1.1 dhe 1.2, pikave 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).
Paraburgimi nis më 27.10.2026, në orën 23:40, dhe zgjat deri më 27.11.2026.
Palët mund të ankohen ndaj aktvendimit brenda dyzetetetë (48) orëve nga pranimi i tij. Ankesa parashtrohet në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Pejë.
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra me sëpatë të dielën në mbrëmje, në Vitomiricë të Pejës. Si i dyshuar për vrasjen është identifikuar kunati i saj, i cili u arrestua të martën, pas tri ditësh në arrati. Zekaj kishte paralajmëruar për rrezikun tri ditë para se të vritej, përmes një letre drejtuar Prokurorisë në Pejë.






