Tragjedia hekurudhore në Spanjë, gabimi njerëzor dyshohet si shkaku kryesor i përplasjes me 68 viktima

28/10/2026 18:34

Neglizhenca e mundshme e një tekniku të kompanisë publike hekurudhore Adif, i cili nuk paralajmëroi për rrezikun e përplasjes së dy trenave, është një nga pistat kryesore të hetimit për tragjedinë pranë Toledos.

Sipas mediave spanjolle, aksidenti ka shkaktuar deri më tani 68 viktima. Gabimi njerëzor është shkaku më i mundshëm i përplasjes vdekjeprurëse të dy trenave në Spanjë, pranë qytetit të Toledos. Sipas burimeve nga Ministria spanjolle e Transportit, të cituara nga gazeta ABC, aksidenti dyshohet se ndodhi për shkak të një sërë gabimesh gjatë ndërhyrjes në sistemin qendror të sinjalizimit hekurudhor.

Sipas vlerësimeve paraprake, një teknik i Adif, autoritetit publik që administron infrastrukturën hekurudhore në Spanjë, dyshohet se nuk ka paralajmëruar në kohë për rrezikun e përplasjes. Në momentin kritik, një tren i kompanisë Iryo ishte ndaluar përkohësisht, ndërsa një tren i shpejtësisë së lartë AVE po lëvizte në të njëjtën linjë.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, foli për një dështim të sigurisë në sistemin e kontrollit dhe e cilësoi si “të pashpjegueshëm” vendimin për të lejuar vazhdimin e udhëtimit të trenit AVE, në vend që të zgjidhej fillimisht problemi teknik. Sipas tij, kishte kohë të mjaftueshme për të shmangur përplasjen.

Ministri bëri të ditur se defekti në sistem u regjistrua rreth orës 08:30, ndërsa urdhri për rifillimin e funksionimit u dha vetëm gjashtë minuta më vonë. Treni AVE kishte përshkuar rreth 25 kilometra përpara se të përplasej me trenin Iryo.

Edhe burime të tjera qeveritare i thanë gazetës El País se gabimi njerëzor i një operatori të Adif, gjatë përpjekjes për të korrigjuar një defekt në sistemin kryesor të sinjalizimit, është shkaku më i mundshëm i aksidentit.

Sistemi i menaxhimit të trafikut hekurudhor në Spanjë funksionon në mënyrë të automatizuar, por në rast defekti mund të kalohet në kontroll manual. Kjo është ajo që dyshohet se ndodhi mëngjesin e 28 tetorit, kur të dy trenat u ndalën për shkak të problemeve në sistemin e sinjalizimit.

Megjithatë, gjatë kalimit nga kontrolli automatik në atë manual, dyshohet se u kryen gabime dhe nuk u respektuan procedurat e nevojshme të sigurisë, duke krijuar kushtet për përplasjen tragjike.

Deri më tani, kompanitë dhe autoritetet hekurudhore të përfshira nuk kanë publikuar një raport përfundimtar mbi shkaqet e aksidentit, pasi përparësi mbeten operacionet e shpëtimit dhe trajtimi i situatës emergjente.

Adif ka konfirmuar se në përplasje u përfshinë dy trena që operonin në linjën Madrid-Sevilje: një tren i kompanisë publike Renfe dhe një tjetër i kompanisë private Iryo.

Aksidenti ndodhi në Urda, në provincën e Toledos, rreth 140 kilometra në jug të Madridit. Sipas raportimeve të mediave lokale, në trenin Renfe ndodheshin 397 pasagjerë, ndërsa në trenin Iryo rreth 150.

Tragjedia ka rikthyer vëmendjen te standardet e sigurisë në rrjetin hekurudhor spanjoll. Nick Kingsley, redaktor i revistës së specializuar Railway Gazette International, deklaroi për Deutsche Welle se hetuesit do të duhet të shqyrtojnë me kujdes se si u bë e mundur që dy trena të përfundonin në një situatë të tillë.

Ai e cilësoi ngjarjen si “një ditë të zezë për industrinë hekurudhore spanjolle”, duke paralajmëruar se do të ngrihen pyetje serioze mbi funksionimin e sistemeve të sigurisë.

Sipas Kingsley, parimi themelor i hekurudhave me shpejtësi të lartë është projektimi i sistemeve të sinjalizimit dhe kontrollit në mënyrë që përplasjet mes trenave të parandalohen.

Eksperti vuri gjithashtu në dukje se hetuesit do të shqyrtojnë nëse ekzistojnë ngjashmëri me një tjetër aksident fatal të ndodhur në Spanjë në janar të këtij viti.

Megjithatë, shkaku i saktë i tragjedisë pranë Toledos mbetet për t’u konfirmuar nga hetimi zyrtar.

Top Channel