Mbetje mortore janë zbuluar më 27 tetor në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut, ndërsa ekziston dyshimi se mund t’u përkasin personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mbetjet janë dërguar për ekzaminime mjekoligjore, përfshirë analizat e ADN-së, me qëllim identifikimin e tyre.
Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha për Radio Evropa e Lirë se gërmimet vlerësuese në një hapësirë të varrezave të besimtarëve myslimanë janë vijim i punimeve të zhvilluara më 20 tetor.
Sipas Limanit, rezultatet e ekzaminimeve do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm të hetimit. Ai theksoi se, në varësi të gjetjeve mjekoligjore, lokacioni mund të mbetet në fokus të verifikimeve të tjera.
“konsiderojmë se lokacioni do të mbetet me interes për verifikime dhe veprime të mëtejshme në kuadër të procesit të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”, deklaroi Limani.
Zbulimi në Mitrovicën e Veriut vjen pas gjetjes së tri varrezave masive në Zubin Potok, gjithashtu në veri të Kosovës, ku janë zbuluar mbetjet mortore të të paktën 23 personave. Autoritetet kanë identifikuar tashmë tri viktimat e para, të cilat i përkasin të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”.
Ky grup përbëhej nga 23 shqiptarë, mes tyre veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës. Ata u zhdukën në Zubin Potok më 19 prill 1999. Në lidhje me vrasjen e civilëve që lidhen me këtë grup, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa persona.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona rezultojnë ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i viktimave të luftës të dokumentuara në Kosovë arrin në 12.230.

