Kurti prezanton potencialin ekonomik të Kosovës para bizneseve gjermane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke bërë të ditur se rreth 200 kompani me kapital gjerman tashmë operojnë në Kosovë.
Forumi, i organizuar nga KDWV me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Qeverisë së Kosovës, synon që mundësitë e diskutuara në takimin e mbajtur në maj në Schloss Bensberg, në North Rhine-Westphalia, të shndërrohen në bashkëpunim të strukturuar ekonomik afatgjatë.
Kurti tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë ndërtuar jo vetëm mbi shkëmbimet tregtare dhe investimet, por edhe mbi lidhjet ndërmjet qytetarëve të dy vendeve.
“Gjermania dhe Kosova e fillojnë këtë bisedë nga një themel jashtëzakonisht i fortë. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona nuk fillojnë me statistika të shkëmbimeve tregtare ose marrëveshjeve për investime, ato janë ndërtuar nga dhe nëpërmjet njerëzve. Populli gjerman qëndroi me popullin e Kosovës përgjatë disa prej viteve më të vështira në historinë tonë”, deklaroi Kurti.
Ai veçoi rolin e mërgatës kosovare në Gjermani, duke thënë se ajo ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shoqërive. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar mërgata kosovare në përgjithësi dërgoi mbi 1.4 miliardë euro në vendlindje, ndërsa që nga viti 2008, afër dy në pesë euro nga remitencat kanë ardhur nga Gjermania.
Kryeministri theksoi se lidhjet e krijuara ndër vite kanë ndikuar edhe në zhvillimin e sektorit privat, pasi kompanitë kosovare bashkëpunojnë me klientë gjermanë, ndërsa bizneset gjermane gjejnë në Kosovë punëtorë që njohin gjuhën dhe standardet e tyre të punës.
Duke folur për tregtinë ndërmjet dy vendeve, Kurti bëri të ditur se eksportet e Kosovës drejt Gjermanisë janë nëntëfishuar gjatë dekadës së fundit, duke u rritur nga më pak se 12 milionë euro në vitin 2015 në mbi 107 milionë euro në vitin 2025.
Ai tha se synimi i radhës është tërheqja e investimeve të reja, forcimi i zinxhirëve të furnizimit dhe zgjerimi i bashkëpunimit në teknologji dhe inovacion.
Kurti foli edhe për potencialin e fuqisë punëtore në Kosovë, duke theksuar se vendi ka një nga popullsitë me moshën mesatare më të re në Evropë. Sipas tij, mosha mesatare në Kosovë është nën 35 vjeç, ndërsa në Gjermani është afër 45 vjeç.
“Mosha mesatare në Kosovë është nën 35 vjeç. Në Gjermani është afër 45. Kështu që ndërmjet nesh ka një ndarje natyrale të punës. Gjermania sjell përvojën, Kosova sjell energjinë. Dhe kurrë nuk kam parë kompani të suksesshme që nuk ka nevojë për të dyja”, tha ai.
Kryeministri përmendi gjithashtu disa nga përparësitë që, sipas tij, ofron Kosova për investitorët, përfshirë normën tatimore prej 10 për qind mbi të ardhurat e korporatave, përdorimin e euros si valutë zyrtare dhe qasjen në tregjet rajonale e evropiane.
Ai shtoi se më shumë se 99 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në internet dhe se ekonomia e vendit është rritur vitet e fundit me një mesatare vjetore mbi 4 për qind.
Në kuadër të forumit, tri fushat kryesore të bashkëpunimit janë transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale, energjia dhe infrastruktura e qëndrueshme, si dhe zhvillimi i prodhimit dhe industrisë.
Përveç paneleve të diskutimit, forumi dyditor përfshin takime ndërmjet bizneseve dhe vizita në kompani, me synimin e krijimit të partneriteteve dhe mundësive të reja për investime ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.







































