Këshilli i Ministrave ka miratuar procedurat dhe kriteret për fitimin e shtetësisë shqiptare nga shtetasit e huaj përmes natyralizimit, për arsye të interesit të posaçëm shtetëror. Vendimi përcakton gjithashtu kontrollet e sigurisë dhe mënyrën e organizimit e funksionimit të Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.
Sipas rregullave të miratuara, shtetasit e huaj mund të përfitojnë nga kjo procedurë kur aftësitë, cilësitë ose veprimtaria e tyre publike apo private përmbushin një nevojë konkrete të shtetit shqiptar, sjellin përfitime ose krijojnë përparësi për vendin.
Interesi shtetëror duhet të jetë i përcaktuar qartë, i verifikueshëm dhe i lidhur me politika specifike, të dokumentuara e të miratuara. Vlerësimi i tij do të kryhet nga ministria që mbulon fushën përkatëse.
Kërkesa për njohjen e interesit shtetëror mund të paraqitet pranë ministrisë përgjegjëse nga vetë aplikuesi ose nga institucione dhe organizata që bashkëpunojnë me të në fushat e kulturës, arsimit, sportit, shkencës apo ekonomisë. Në rastin e dytë, kërkohet paraprakisht pëlqimi me shkrim i personit të interesuar.
Pasi ministri lëshon deklaratën për njohjen e interesit shtetëror, kërkesa për fitimin e shtetësisë duhet të dorëzohet pranë Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë brenda pesë ditëve kalendarike.
Agjencia do të shqyrtojë dokumentacionin, të dhënat penale dhe nëse aplikuesi është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare të pranuara nga Shqipëria. Për verifikimin e sigurisë kombëtare, rendit publik dhe pastërtisë së figurës do të angazhohen edhe Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Policia e Shtetit, të cilat duhet të japin përgjigje brenda 20 ditëve kalendarike.
Brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, Agjencia duhet t’i paraqesë ministrit përgjegjës për punët e brendshme një relacion, ku rekomandohet dhënia e shtetësisë ose mbyllja e praktikës. Propozimi i përcillet më pas Presidentit të Republikës, i cili vendos përmes dekretit për dhënien e shtetësisë ose e kthen dosjen pa veprim, duke çuar në mbylljen dhe arkivimin e saj.
Vendimi sqaron se paraqitja e një aplikimi nuk i jep automatikisht të huajit të drejtën për të marrë shtetësinë shqiptare. Gjithashtu, deklarimi i të dhënave të rreme sjell përgjegjësi penale dhe mund të çojë në ndërprerjen e procedurës ose në heqjen e shtetësisë së dhënë.
Agjencia e re do të funksionojë si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për Punët e Brendshme, me seli në Tiranë. Drejtori i përgjithshëm do të emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës.

