Vrasja horror e Denaldo Maxhallakut/ Mediat italiane: Arrestohet një i dyshuar

Vrasja horror e Denaldo Maxhallakut/ Mediat italiane: Arrestohet një i dyshuar

19:46, 28/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Horror në Longiano, alarmi u dha nga banorët. Viktima është Denaldo Maxhallaku, 31 vjeç, nga Gatteo, pa precedentë penalë, i cili ishte zhdukur që kur, tre javë më parë, iu dogj makina.

Nga Ermanno Pasolini, IL RESTO DEL CARLINO

Trupi i pajetë i një burri 31-vjeçar, me shtetësi shqiptare, u zbulua brenda një pusete për kullimin e ujërave, fare pranë disa banesave në zonën e Felloniche, në Longiano. Sipas verifikimeve të para të kryera nga forcat e rendit, viktima ishte vrarë me disa të shtëna arme zjarri, të qëlluara nga një distancë e afërt. Ai quhej Denaldo Maxhallaku. Sipas informacioneve të siguruara, trupi kishte qëndruar aty prej disa ditësh. Në mbrëmje mbërriti konfirmimi se një i dyshuar ishte arrestuar.

Ndërhyrja e forcave të rendit dhe këqyrja nga ekspertët kriminalistikë

Pamja që iu shfaq ekipeve të shpëtimit ishte dramatike: kufoma ndodhej me kokën poshtë brenda pusetës, pjesërisht e fshehur. Alarmi u dha në orët e para të mëngjesit, kur prania e pazakontë në kanalin kullues ngjalli dyshime te banorët, të cilët telefonuan menjëherë numrin unik të emergjencave.

Në vendngjarje ndërhynë me urgjencë ekipet e zjarrfikësve, të nevojshme për operacionin e ndërlikuar të nxjerrjes dhe marrjes së trupit, si dhe karabinierët e komandës territoriale dhe të njësisë hetimore. Ata izoluan menjëherë të gjithë zonën, duke e rrethuar me shirita sinjalizues kuq e bardhë, për t’i hapur rrugë ekspertizës teknike të specialistëve të kriminalistikës.

Kush është viktima dhe çfarë dimë

Me kalimin e orëve, rrethanat e ngjarjes kanë filluar të qartësohen gjithnjë e më shumë, por edhe të bëhen më shqetësuese. Viktima quhet Denaldo Maxhalaku, banonte në Gatteo, punonte rregullisht si bojaxhi dhe nuk rezultonte të kishte asnjë precedent penal. Ai ishte i martuar dhe kishte një fëmijë pak më shumë se një vjeç.

Burri ishte zhdukur që prej 7 tetorit. Të nesërmen, makina e tij u gjet e djegur plotësisht pranë vendit ku është zbuluar tani kufoma. Ai ishte larguar nga shtëpia për t’u takuar me një të njohur, por që nga ai moment, pavarësisht kërkimeve nga forcat e rendit dhe familjarët, askush nuk e kishte parë më.

Makina e viktimës u dogj

Hetuesit po ndjekin pistën e vrasjes: në një distancë të shkurtër nga puseta janë gjetur disa gëzhoja. Në qendër të hetimeve është pikërisht ky element kohor: rreth njëzet ditë më parë, makina e burrit ishte gjetur në të njëjtën zonë, e shkatërruar plotësisht nga flakët. Që nga ajo ditë, 31-vjeçari ishte zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, deri në përfundimin tragjik të kësaj mëngjesi.

Hetimet dhe dëshmitë për të identifikuar vrasësin

Sot, efektivët e karabinierëve kanë marrë në pyetje banorët e zonës dhe familjarët, ndërsa kanë shqyrtuar edhe pamjet e kamerave të mbikëqyrjes në të gjithë luginën, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të fundit të viktimës dhe identifikimin e personit që ka qëlluar me armë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco