Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se protestën studentore e kanë përvetësuar gradualisht Sali Berisha, Agron Shehaj, Adriatik Lapaj dhe Arlind Qori. I ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Koha Jonë-Debat”, me Nikoll Lesin, Balla theksoi se në demokraci qeverisjen nuk e përcaktojnë protestat, por vota. “Sheshet nuk përcaktojnë kush qeveris dhe kush është në opozitë. Këtë e përcakton vota”, u shpreh Balla. Ai mohoi gjithashtu përfshirjen e PS-së në përçarjen e protestës dhe dënoi aktet e dhunës ndaj Policisë së Shtetit, duke i cilësuar ato si të patolerueshme.
Pjesë nga debati
Balla: Edhe në Shqipëri do të ketë parti të dala nga protestat, dhe ju e paskeni thënë shumë mirë. Unë u kam thënë, formoni parti dhe në këtë sistemin që kemi zgjedhur, nuk e caktojnë më sheshet, se kush qeveris, dhe kush është në opozitë. Këtë e përcakton vota. Padyshim që sheshet të premten para zgjedhjeve kanë një peshë të madhe. Unë të them të drejtën, në Serbi, të entjen kur ishte mitingu i fushatës,e kuptova që Lista e Studentëve kishte fituar zgjedhjet, aty kishte 500 mijë vetë. Por prap se prap, nuk e ndalën procesin të enjten, meqë kemi 500 mijë veta në shesh, dhe nuk do të zhvillohen zgjedhjen të dielën. Por duhet të presim, sepse lëvizje të kësaj natyre janë të përkohshme dhe pastaj kur marrin përgjegjësinë për të qeverisur, është diçka tjetër. Aktualisht protestën e vodhën pak nga pak, Saliu i pari, Agron Shehaj i dyti, Lapaj i treti dhe Qori i katërt. Dhe këta të katërt kanë përgjegjësi edhe për ato aktet e dhunës.
Lesi: Ju si PS, nuk keni futur duart për ta përçarë si protestë?
Balla: Ku?
Lesi: Ndoshta nuk ke informacion ti, por duar nga pushteti ka në protestë për ta përçarë.
Balla: Jam kryetar i grupit parlamentar të PS-së, dhe ju deklaroj me përgjegjësi që nuk është në natyrën e PS-së, që të përfshijë njerëz. Ju e dini që sot 90% e kohës televizive në Shqipëri merret nga protesta dhe opozita. A e dini ju që sot 90% e televizioneve janë kundër qeverisë?
Lesi: Ato televizione që Ju i keni dhënë leje ndërtimi, resorte turistike, që i keni përkëledhur, dhe që tani dalin kundër, ata në fakt me të drejtën e tyre. Sepse edhe kryeministri tha ”Ekranet kriminale”, pse nuk i thotë me emra?
Balla: Ke 90% të televizioneve kundër qeverisë, e cila ka çbërë të gjithë këtë propagandë të ngritur prej shumë vitesh, sepse këto % nuk janë sot, edhe para 6 muajsh ku nuk kishte protestë, 60% të kohës televizive e kishte opozita. Por nuk ka asnjë problem.
Lesi: Këto informacione që nuk keni futur duart në protestë, folët si ish-ministër i Brendshëm? Sepse pavarësisht se çfarë thonë portalet dhe disa media, që të shkarkoi Ergys Agasi, dhe në fakt më mirë nëse të ka shkarkuar Gysi, sepse ka informacione nga rruga e burgut, që do të jetë kjo dosja e Ergys Agasit një skandal i vërtetë për maxhorancën, por ti ke shpëtuar, se e bën gjumin i qetë. A të ka shkarkuar Gys Agasi?!
Balla: Gjatë kohës që kam qenë ministër i Brendshëm, famlija juaj ka kaluar një fatkeqësi, u nda nga jeta vëllai juaj, që ishte një nga punonjësit më të mirë të shtetit, prej vitesh, edhe kam në familjen tuaj për ngushëllim në Lezhë. Dhe dua të them një gjë, Policia e Shtetit është një organizatë që nga ana e ministrit të Brendshëm kërkon vetëm mbështetje, dhe nga ana e qeverisë kërkon më shumë investime. Lajmi i mirë me buxhetin është që do të kemi një rritje pagash, ashtu siç e kam dëshiruar të them të vërtetën, kur isha ministër i Brendshëm. Në kushtet ku jemi, duhet të kuptojmë që këto ditë kanë qenë ditë të zeza për kulturën e publikut me Policinë e Shtetit. Nuk qëllohet Policia e Shtetit, nuk hidhet molotov, sepse është akti më i rëndë, dhe pastaj kur reagon Policia e Shtetit, por sjellja është e patolerueshme.
