Vendosni fjalën kyçe....

FBI-ja bastis shtëpinë e miliarderit që financon ish-Kongresmenin


FBI-ja bastisi të martën shtëpinë e një miliarderi që financon Eric Swalwell-in, në kuadër të hetimit në vazhdim për akuzat për sulme seksuale ndaj ish-kongresmenit demokrat, tha për Reuters një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit.

Sipas zyrtarit, FBI-ja kontrolloi vilën e Stephen Coobeck në Beverly Hills, në kërkim të pajisjeve elektronike dhe dokumenteve që lidhen me prostitucionin, shkruan Reuters.

Bastisja është pjesë e hetimit ndaj Swalwell-it. Coobeck nuk ndodhej në shtëpi në momentin e bastisjes dhe nuk u arrestua askush. Avokatët e Coobeck dhe Swalwell-it nuk iu përgjigjën emaileve ku kërkohej koment.

Në gusht, FBI-ja kontrolloi shtëpinë e Swalwell-it në Uashington, D.C., dhe i sekuestroi pajisjet elektronike në aeroportin e San Franciskos.

Swalwell dha dorëheqjen nga vendi i tij në Kongres dhe u tërhoq nga gara për guvernator të Kalifornisë në prill, pasi katër gra e akuzuan për sjellje të pahijshme seksuale, duke filluar nga sulmet seksuale deri te dërgimi i imazheve eksplicite pa pëlqimin e tyre.

Swalwell ka kërkuar falje për “gabimet në gjykim”, por ka deklaruar se akuzat janë të rreme dhe është zotuar se do t’i kundërshtojë ato.

Autoritetet e zbatimit të ligjit në nivel lokal në Nju-Jork dhe Los Anxhelos kanë njoftuar nisjen e hetimeve për sulmet e pretenduara. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ka bërë të ditur se ka shqyrtuar akuzat sipas të cilave Swalwell ka punësuar në mënyrë të paligjshme një dado braziliane.