Milan pëson humbjen e parë në kampionat, teksa Bologna realizon një fitore të madhe 2-4 në “San Siro”. Heroi i mbrëmjes ishte Samuel Mbangula, i cili në ndeshjen e tij të parë si titullar shënoi tre gola, duke i dhënë skuadrës mike një sukses që mungonte prej 10 vitesh në fushën e kuqezinjve.
Bologna konfirmoi edhe një herë se është një skuadër e rrezikshme në transfertë, duke regjistruar fitoren e tretë sezonale, të gjitha jashtë shtëpisë, dhe duke ngjitur ndjeshëm pozitat në renditje.
Mbangula, i afruar më 1 shtator për të zëvendësuar Jonathan Rowe, kaloi miqtë në avantazh që në minutën e 8-të. Pas një aksioni të ndërtuar nga Zortea dhe Pobega, sulmuesi belg u gjend i lirë në zonë dhe mposhti Maignan.
Milan reagoi përmes talentit të ri Cisse, i cili përmbysi përkohësisht rezultatin me dy gola. Në minutën e 14-të, ai përfitoi nga një gabim i Theate për të barazuar shifrat, ndërsa në të 27-ën realizoi golin e dytë pas një asistimi të bukur nga Tomori.
Megjithatë, mbrojtësi i Milanit, një nga lojtarët më të mirë në fushë, u detyrua të largohej në fund të ndeshjes për shkak të një problemi muskulor, duke shtuar shqetësimet për dëmtimet te kuqezinjtë.
Ndryshimet e trajnerit të Bologna-s rezultuan vendimtare. Në minutën e 60-të, një goditje dënimi e Mirandës përfundoi në rrjetë pas devijimit të Bartesaghi-t, duke rikthyer baraspeshën. Vetëm dy minuta më vonë, Miranda dha asistimin për Mbangula, i cili shënoi me të djathtën dhe riktheu Bolognën në avantazh.
Milan u hodh në sulm për të kërkuar barazimin, por në minutat e fundit Bologna goditi sërish në kundërsulm. Pas një topi të humbur nga Camarda, Pobega shërbeu për Odgaard, i cili asistoi për Mbangula. Belgu e dërgoi topin në rrjetë, duke kompletuar ‘tripletën’ dhe vulosur fitoren 2-4.
Për Milanin, kjo është një humbje e dhimbshme që nxjerr në pah vështirësitë për të ruajtur vazhdimësinë e rezultateve. Për Bologna-n, triumfi në “San Siro” është një sukses i rëndësishëm dhe një konfirmim i forcës së saj në transfertë.
© SYRI.net
Interi fiton në fund ndaj Venezias dhe rikthehet në krye të Serisë A
Skënderbeu dhe Laçi ndajnë pikët, kurbinasit pranë përmbysjes në Korçë
Botërori 2026 sjell të ardhura rekord për FIFA-n, pesë herë më shumë se në KatarBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: