Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka ngritur shqetësimin për mungesën e dialogut gjatë javëve të fundit, në një kohë kur protestat studentore janë përhapur në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, me kërkesa që përfshijnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tarran theksoi se qytetarët, veçanërisht të rinjtë, duhet të kenë mundësi reale për të shprehur mendimet e tyre dhe për të ndikuar në debatin publik. Sipas tij, kur njerëzit krijojnë përshtypjen se zëri i tyre nuk dëgjohet dhe mendimet e tyre nuk merren parasysh, bëhet edhe më e rëndësishme hapja e hapësirave për konsultim dhe dialog.
“Çfarë unë kam parë gjatë këtyre javëve të fundit, ose muajve të fundit, është një mungesë e dialogut. Një mungesë ku njerëzit kanë përshtypje që zëri i tyre nuk dëgjohet, që zëri, mendimi i tyre nuk është marrë në vëmendje. Dhe çdo rast ku ka mundësi për të organizuar dialogun, për të organizuar konsultimet, duhet të mbështetet dhe për këtë arsye erdha sot”, deklaroi ambasadori.
Ai nënvizoi se demokracia nuk kufizohet vetëm te pjesëmarrja në zgjedhje një herë në katër vjet, por kërkon angazhim të vazhdueshëm të qytetarëve në jetën publike dhe në vendimmarrje.
“Ekzistojnë kanale të ndryshme dialogu. Dhe rëndësia është që qytetarët dhe sidomos të rinjtë të kuptojnë që kanë një mundësi për t’u marrë pjesë në debatin publik.
Që demokracia nuk është vetëm një herë në katër vjet të shkosh, të marrësh pjesë në zgjedhje. Që demokracia është një punë e përditshme, është një mundësi që hapet për të gjithë që ata që kanë dëshirë për t’u marrë pjesë në jetën publike, në vendimet e ndryshme ku mendimi i tyre dhe i njerëzve është i rëndësishëm”, tha Tarran.
Duke iu referuar aktivitetit ku mori pjesë, të titulluar “Thuaje”, ambasadori vlerësoi idenë e krijimit të një hapësire ku qytetarët mund të shprehin qëndrimet e tyre për çështje të ndryshme. Ai bëri thirrje që dialogu të mbështetet, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë rruga për zgjidhjen e problemeve.
“Më pëlqeu emri i kësaj aktiviteti, ‘Thuaje’, tamam, ‘Thuaje’ tamam, vij këtu dhe thën thuaje, çfarë mendon për çështje të ndryshme që do të diskutohen gjatë këtyre ditëve, 55 panele të ndryshme që do të organizohen. Dhuna asnjëherë nuk është zgjidhje”, u shpreh ambasadori.

