Qeveria ka miratuar krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar në Prokurori ose nën hetim për vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, të kryera me dhunë gjatë protestave dhe manifestimeve publike. Vendimi parashikon verifikime në kufi dhe mundësinë e refuzimit administrativ të daljes nga Shqipëria edhe në rastet kur ndaj personit nuk është vendosur masë sigurimi për ndalimin e largimit jashtë shtetit.
Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e personave për të cilët, në materialet e referuara në Prokurori, dokumentohen veprime konkrete të dhunshme.
Të dhënat do të përfshijnë numrin unik të regjistrimit, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, të dhënat procedurale dhe historikun e përditësimeve. Informacioni për identitetin do të sigurohet përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, ndërsa numri i referimit, data e ngjarjes dhe masat kufizuese në fuqi do të merren nga sistemi ADAM dhe regjistrat përkatës të Policisë së Shtetit.
Kontrolle në kufi edhe pa masë sigurie
Sipas vendimit, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ketë akses të kufizuar në regjistër, vetëm për verifikimet kufitare dhe zbatimin e masave kufizuese të parashikuara me ligj. Shkëmbimi i informacionit do të kryhet përmes ndërveprimit elektronik të autorizuar, pa i dhënë Policisë së Shtetit akses të përgjithshëm në regjistrat e Prokurorisë.
Një nga pikat kryesore të vendimit lidhet me mundësinë e ndalimit të udhëtimit. Kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për përfshirjen e një personi në veprime të dhunshme gjatë protestave, Policia Kufitare mund të refuzojë administrativisht daljen e tij nga vendi, në bazë të ligjit “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, edhe nëse nuk është vendosur masë sigurimi për ndalimin e largimit jashtë shtetit.
Nëse autoritetet nuk vendosin refuzimin e daljes, ato duhet të njoftojnë autoritetet e vendit ku personi synon të udhëtojë për faktin se ndaj tij janë referuar materiale për veprat penale të përmendura në vendim.
Njoftohen edhe strukturat e akomodimit
Vendimi parashikon gjithashtu që Policia e Shtetit të njoftojë personat fizikë dhe juridikë privatë që zotërojnë ose administrojnë struktura akomoduese, kur disponohen të dhëna konkrete për pjesëmarrjen e personave në veprimet e dhunshme dhe materialet përkatëse i janë referuar Prokurorisë.
Për personat e regjistruar, nevoja për ruajtjen e të dhënave do të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Nëse Prokuroria kompetente njofton se nuk do të fillojë procedimi penal ose se çështja është pushuar, të dhënat e personit do të fshihen nga regjistri.
Qeveria përcakton se përpunimi dhe shkëmbimi i informacionit duhet të bëhen në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit, gjurmueshmërinë dhe proporcionalitetin.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

